Flamurtari nuk shqetësohet nga asgjë, Duro takon Elis Bakajn

Nëse realizohet, do të ishte “qershia mbi tortë”: Elis Bakaj është goditja e madhe me të cilën Flamurtari synon të mbyllë merkaton verore!

Sot dy gazetat sportive në treg dolën me paralajmërimin e heqjes së pikëve në lidhje me çështjen “Gjoka”, por duket se Sinan Idrizin nuk e shqetëson fare kjo histori, pavarësisht se ka histori të hidhura këto vitet e fundit, kur ka refuzuar të paguajë borxhet, të tij apo të epokës Shpëtim Gjika.

“Sport Ekspres” mëson se sot trajneri Shpëtim Duro është takuar me Elis Bakajn, të cilit i ka bërë ofertën për të shkuar në Vlorë.

Së pari, Duro kërkon të mësojë vullnetin e Bakajt, i cili vazhdon të jetë pa ekip dhe po studion ofertat, sidomos ato nga jashtë, sepse nuk dëshiron të luajë në Superiore. Megjithatë, ish-futbollisti i Vllaznisë në pranverë mund të tundohet nga oferta vlonjate.

Duro ka dashur të mësojë kërkesat financiare të Bakajt, i cili nuk është aspak i lirë në aspektin financiar, ndaj duhet parë sa i gatshëm do të jetë Sinan Idrizi që ta kënaqë. Këtë verë Flamurtari ka ndryshuar strategji, sepse merkaton e ka drejtuar vetë Shpëtim Duro, i cili ka ulur ndjeshëm nivelin e shpenzimeve, ndaj pagat mbi 5000 euro në muaj po shihen si tabu në Vlorë dhe nuk ka më çeqe të bardhë.

Megjithatë, dihet që Bakaj është një nga pak lojtarët e Superiores që bëjnë diferencën në fushë dhe Flamurtarit i duhet patjetër një ndërlidhës mes mesfushës dhe sulmuesit kryesor Bushiç, pasi duket e vështirë që këtë pozicion ta mbulojnë Ardit Hoxhaj, braziliani Zhufo, apo Kamara.

Gjithçka vendoset këtë javë: nëse Bakaj ndërron mendje dhe vendos të qëndrojë në Shqipëri, Idrizi ka në dorë t’i japë Duros “qershinë mbi tortë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *