Flamurtari, një treshe që duhet blerë

0

Sidibe, Kamara dhe Hoxhaj. Flamurtari duhet ta ndërtojë të ardhmen duke blerë kartonin e këtyre tre lojtarëve

E para njëherë, kush thotë që Flamurtari nuk ka nuanca vlonjate nuk ka informacionin e duhur. Ai që shënoi kundër Partizanit, Ardit Hoxhaj është vlonjat. Megjithatë, kjo sa për “kunj”, sepse dhe nëse nuk ke asnjë vlonjat në ekip nuk është fundi i botës. Sot të kërkosh lojtarë të lindur e rritur në qytetin tënd quhet “lokalizëm” futbollistik. Sa për shembull, Real Madrid nuk ka asnjë të lindur në Madrid në formacionin bazë. Se përse Vlora nuk po prodhon më futbollistë të denjë, ky nuk është as problem e as zgjidhja e stafit aktual. Është një çështje më vete, që ka pak a shumë sindromat e një lloj korrupsioni prindër-trajnerë që ka prekur pothuaj gjithë Shqipërinë. Temë më vete, shumë e rëndësishme, por më vete.

Direkt e në temë. Tre nga lojtarët më interesantë të Flamurtarit këtë sezon janë mesfushori Sidibe dhe dy sulmuesit e krahut Kamara dhe Hoxhaj. Dy afrikanët kanë mbërritur me huazim me të drejtë blerje nga Besëlidhja. Sezonin e shkuar ata të dy ishin protagonist të eliminimit të Flamurtarit në çerekfinalen e kupës. Paguhen me 800 euro në muaj dhe nëse vlonjatët kalojnë në arkat e Besëlidhjes në fund të sezonit 20 mijë euro bëhen përfundimisht kuqezinj. Një investim që ja vlen, ashtu sikundër do ishte një investim i mirë dhe Ardit Hoxhaj, i cili për momentin ka ardhur huazim nga Skënderbeu.

Të drejtat e plota të këtyre tre lojtarëve dhe ndoshta pas një ose dy sezonesh shitja e tyre nuk do mbulojë gropën e madhe të shpenzimeve që janë bërë në epokën Idrizi, por patjetër që do ishte një fillim i mirë për të nisur një biznes që në Vlorë nuk e kanë menduar asnjëherë: shitja e lojtarëve. Këta të tre duhen blerë përfundimisht, duhet përfituar sportivisht prej tyre e më pas ku i dihet, duhen shitur.

Gjergji Stefa

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image