Flamurtari në një finale të vogël, i ndalohet humbja në Laç

0

Elton Nika

Luhet një finale mbijetese në Laç, ku Flamurtari duhet medoemos të marrë pikë. Të dyja skuadrat janë në kuotën e 22 pikëve dhe  luftojnë për të dalë nga zona e ftohtë, ndaj dhe 90-minutëshi i sotëm konsiderohet jetik. Më pas ka edhe shumë javë, por kush fiton i hap rrugën qëndrimit në elitë. Tranferta e Laçit është nga ato ndeshje, ku fitorja vlen 6 pikë dhe vlonjatët, pas disa rezultatesh të dobëta, do të synojnë maksimumin e pikëve. Në Laç u ka ecur përgjithësisht, por objektivi minimal është që sot të mos dalin të mundur. Klubi vlonjat vendosi që këtë ndeshje shumë të rëndësishme ta përgatisë në heshtje të plotë, duke qëndruar larg deklaratave mediatike. Ata duan që lojtarët të jenë maksimalisht të përqendruar te ndeshja, që në një farë mënyre vlen sa i gjithë sezoni. Stafi teknik ka mbyllur dje përgatitjet me një seancë, ku trajneri Duro ka qartësuar gjithçka në lidhje me formacionin. Në Vlorë e dinë të gjithë se nuk do të jetë aspak e lehtë në Laç, aq më tepër që skuadra vendëse ka pësuar shumë ndryshime në sensin pozitiv gjatë janarit. Do të jetë një kundërshtar më cilësor se ai i dy fazave të para, por kjo nuk e pengon aspak Flamurtarin të kërkojë fitoren.

DURO –  Nga heshtja për shtyp te Flamurtari nuk ka bërë përjashtim as trajneri Shpëtim Duro, i cili nuk ka pranuar të flasë dje, një ditë para ndeshjes me Laçin. Pak ditë më parë, kur ishte i ftuar në një televizion lokal në Vlorë, trajneri i Flamurtari, duke iu referuar ndeshjes me Laçin, theksonte se është përcaktuese për ecurinë, por jo se vendos gjithçka. Me këtë pohim ai ndoshta ka dashur të largojë presionin nga skuadra e tij: “E dimë që është një përballje shumë e vështirë, sepse gjejmë një kundërshtar shumë cilësor, që është përforcuar ndjeshëm gjatë merkatos së dimrit. Ndaj do të jetë një transfertë shumë e fortë mes dy ekipeve, që kërkojnë të realizojnë objektivin e qëndrimit në Superiore. Mendoj se në luftë për qëndrimin janë Laçi, Flamurtari, por edhe Teuta apo edhe ndonjë skuadër tjetër. Nuk do të jetë një luftë dyshe mes nesh dhe Laçit. Kjo ndeshje përcakton për ne diçka, por jo gjithçka, pasi deri në fund të kampionatit parashikoj se do të jetë një luftë shumë e fortë dhe e ashpër. Në Laç shkojmë për pikë”, – tha disa ditë më parë trajneri i vlonjatëve, i cili mbetet në kërkim të fitores së parë në stolin e Flamurtarit. Deri tani ka vetëm 2 barazime dhe 2 humbje.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here