Flamurtari në krizë, largohen gjeorgjianët

0

 

Tskhadadze dhe Popkhadze kanë braktisur ekipin vlonjat. Problemet financiare janë shkaku kryesor për vendimin e tyre 

 

Elton Nika

 

Përveç mungesave të shumta për shkak dëmtimesh apo pezullimesh, Flamurtari duhet të bëjë llogaritë edhe pa dy lojtarë në ndeshjen përballë Kukësit. Në takim që do të luhet ditën e mërkurë në Vlorë. Bëhet fjalë për dy gjeorgjianët, Bachana Tskhadadze dhe Girogi Popkhadze, të cilët tashmë janë larguar nga Flamurtari, ndërsa lojtarët në fjalë nuk u aktivizuan as në ndeshjen e fundit të humbur me Vllazninë në transfertë, duke u justifikuar me faktin se janë  të dëmtuar. Por, në fakt diçka e tillë nuk qëndron dhe largimi i dy gjeorgjianëve lidhet me pagat e pamarra. Kjo është arsyeja kryesore që ka sjellë edhe largimin e tyre nga Flamurtari. Në fakt për të konfirmuar zyrtarisht këtë largim të tyre, duhet pritur pikërisht dita e sotme, kur vlonjatët nisin stërvitjen, për të parë edhe realisht nëse lojtarët do të jenë apo jo pjesë e skuadrës. Seanca e sotme vetëm se do të rikonfirmojë largimin e tyre, pasi tashmë gjithçka është e kryer. Të dy lojtarët janë larguar gjatë ditës së diel nga qyteti i Vlorës dhe ekipi i Flamurtarit. Skuadër me të cilën janë aktivizuar që nga fillimi i sezonit. Të dy janë lojtarë shumë të rëndësishëm pasi mbrojtësi i majtë Pokhadze ishte kthyer në një titullar fiks për formacionin e Flamurtarit dhe sulmuesi Tskhadadze ishte lojtari që kishte arritur të shënonte më shumë gola për skuadrën e Flamurtarit,  katër të tillë. Të dy lojtarët janë edhe pjesë e kombëtares së Gjeorgjisë. Teksa kanë pritur për pak kohë në këtë gjendje, ata kanë kuptuar që situata është e pashpresë dhe në fund u ka sosur durimi dhe kanë marrë vendimin ekstrem për tu larguar nga Flamurtari. Nuk dihet nëse mund të ketë një rikthim të tyre apo jo në Vlorë, por  tashmë largimet janë kthyer në një shqetësim tek Flamurtari. Të gjithë janë në pritje të një zgjidhje përfundimtare të situatës të vështirë që po që po kalon aktualisht Flamurtari. Pak kohë më parë u larguan dy lojtarët e huaj Petr Trap dhe Bedi Buval, ndërsa këtë rrugë ndoqën edhe trajneri Stanislav Levi e  ndihmësi i tij, por edhe dy  italianët e stafit të Flamurtarit. Tashmë është radha e dy lojtarëve gjeorgjianë të largohen nga Flamurtari, për shkak të mungesës së pagave. Por, në një situatë të tillë janë edhe shumë lojtarë të tjerë si Nexhipi apo Morina e ndonjë tjetër, të cilët konfirmohen si të dëmtuar, por në të vërtetë shkaku kryesor që nuk luajnë janë pagat e pamarra. Ndeshja ndaj Kukësit do t’i gjejë përsëri vlonjatet me mungesa të shumta në formacion si ndaj Vllaznisë. Nuk dihet nëse do të ketë edhe lojtarë të tjerë të larguar.

 

 

Privatizimi i klubit,

zgjidhja e problemeve

 

Privatizimi i klubit duket se mbetet zgjidhja e vetme për të ndryshuar situatat në të cilat ndodhet Flamurtari. Nëse gjërat nuk ndryshojnë mbijetesa do të jetë shumë e vështirë. Në Vlorë janë duke pritur të dëgjojnë sinjale pozitive rreth kësaj teme. Dy kompanitë turke që administrojnë aktualisht Flamurtarin janë duke kërkuar që një proces i tillë të mbyllet sa më shpejt, ndërsa bashkia qëndron në heshtje rreth situatës aktuale tek Flamurtari. Në pritje të privatizimit, situata tek Flamurtari mund të shkojë shumë më keq dhe të rrezikohet seriozisht mbijetesa nëse nuk ka një ndërhyrje emergjente.

 

E diela pushim,

për lojtarët

 

E diela është lënë pushim për lojtarët. Stërvitjet për takimin kundër Kukësit startojnë sot. Vetëm dy ditë përgatitje për vlonjatët për të përgatitur një ndeshje shumë të rëndësishme si ajo me verilindorët ku kërkohet me çdo kusht rezultati pozitiv. Mbetet për tu parë gjendja e lojtarëve dhe cilët do të jenë të gatshëm për këtë sfidë, stafi teknik shpreson të ketë më shumë lojtarë në dispozicion.

 

Kthehet Hoxha

 

Mesfushori Ylli Hoxha i bërë baba pak ditë më parë, rikthehet për ndeshjen kundër Kukësit. Lojtari që mungoi në Shkodër për shkak të kartonëve të verdhë, pritet të jetë gati ndaj ish-skuadrës së tij. Nëse do të rikthehet në fushë është një forcë më shumë tek formacioni i Flamurtarit. E hëna do të jetë përcaktuese për të shikuar gjendjen e lojtarëve.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.