Flamurtari mposht Tiranën, por mbijetesa…

0

Telushi dhe Alvesh i japin sërish 3 pikë të çmuara skuadrës vlonjate, që ruan diferencën e pikëve me Bylisin, por ka ende ankth për sa i takon mbijetesës

 

E diel, 8 maj 2016, ora 19:00, stadiumi “Flamurtari”, Vlorë

Flamurtari – Tirana  2-1

Shënues: Telushi 45’, Alvesh 70’ / Papa 80’

Flamurtari: I.Lika, Idrizaj, Curri, Lakoste, Krasniqi, Telushi (Dushku 80’), Shehaj (Lushtaku 56’), Nikolini, Hoxha, Alvesh (Martins 80’), Da Silva. Trajner: Z.Ramadani.

Tirana: Avdyli, Kërçiku (Deliaj 60’), Teqja, Gërxhalliu, Hoxhallari, Karabeci, Malaj, G.Lika, Vucaj (Papa 74’), Fukui, Peçi (Halili 58’). Trajner: I.Daja.

Gjyqtarë: R.Sadiku, I.Tartari, R.Preca

Kartonë të verdhë: Alvesh,Papa

Delegat: A.Maçi

Vëzhgues: F.Tare

Golat

45’ – Idrizaj vepron shumë bukur në krah, pengohet në hyrje të zonës dhe pretendohet penallti, por është vetëm goditje dënimi. Telushi ekzekuton në mënyrë të shkëlqyer dhe shënon një eurogol. 1-0.

70’ – Kombinime të shkëlqyera mes Da Silvës dhe Lushtaku, ku ky i fundit nxjerr mjeshtërisht të lirë Alveshin, i cili përballë portierit realizon dhe 2-0.

80’ – Papa realizon një gol shumë të bukur me një goditje nga jashtë zonës, duke ngushtuar rezultatin në 2-1.

Episodet

9’ – Shehaj ul një top për Alveshin, i cili gjuan menjëherë, por topi përplaset te një mbrojtës dhe largohet rreziku.

12’ – Top i kthyer pas, kërkon të përfitojë Fukui, por nuk arrin të fitojë dyluftimin me Likën. Topi del jashtë, kurse miqtë kërkojnë diçka më shumë.

33’ – Da Silva nxjerr të lirë Hoxhën, që gjendet përballë portierit dhe gjuan menjëherë, por mbi tra.

35’ – G.Lika futet bukur në zonë, gjuan menjëherë, por ndërhyn Lika, që largon rrezikun dhe më pas mbrojtja.

39’ – Goditje dënimi për Flamurtarin. Telushi provon nga larg, por pret Avdyli.

60’ – Lushtaku merr një top në kufijtë e zonës, gjuan menjëherë, topi përplaset te një mbrojtës dhe përfundon jashtë. Tirana rrezikon autogolin.

65’ – Goditje këndi për vlonjatët. Lushtaku pason tek Idrizaj, që gjuan menjëherë dhe pret në dy kohë portieri mik.

83’ – Goditje këndi për Flamurtarin. Lushtaku harkon në zonë, ku Lakoste, shumë pranë portës, nuk arrin të devijojë në rrjetë.

 

Elton Nika

Flamurtari shënon fitoren e dytë radhazi në kampionat, por ende asgjë nuk është siguruar qëndrimi, duke parë fitoren e Bylisit në transfertë me Partizanin. Vlonjatët kërkonin vetëm tri pikët në këtë takim dhe ja kanë arritur qëllimit, ndërsa Tirana ka humbur përfundimisht Europën në Vlorë. Gjithsesi, për Flamurtarin fitorja ka ardhur në kohën e duhur, edhe pse diferenca me Bylisin mbetet vetëm tri pikë sërish.

PJESA E PARË – Flamurtari luan me një formacion sulmues, duke konfirmuar lojtarët që fituan edhe në Pukë, me Pashajn në stol dhe Currin e Lakosten ne qendër të mbrojtjes, ndërsa Shehaj dhe Alvesh përpara. Nga ana tjetër, Tirana luan me mungesa të shumta në formacion. Takimi nis me vlonjatët, që kërkojnë ta zhvendosin lojën drejt portës së Tiranës, por edhe miqtë tregohen të kujdesshëm në lojën e tyre, duke kërkuar të kundërsulmojnë drejt portës së Likës. Momentin e parë e regjistron Alvesh, por mbrojtja tregohet e kujdesshme. Loja nis dhe zhvillohet më tepër në mesfushë, ndërsa topi zotërohet nga vlonjatët. Fukui kërkon të jetë rreziku kryesor për vlonjatët, por ka shumë pak mbështetje nga të tjerët. Hoxha ka mundësinë më të mirë për të shënuar, por godet në mënyrë të gabuar para porte. Edhe Tirana rrezikon me Gilman Likën, por përgjigjet mjaft mirë Ilion Lika. Dhe kur pjesa e parë ishte drejt fundit, Telushi nxjerr nga repertori i vet një perlë të vërtetë, duke realizuar një eurogol nga një goditje dënimi. 1-0 për Flamurtarin dhe skuadrat janë të dyja në dhomat e zhveshjes.

PJESA E DYTË – Nuk ka zëvendësime te të dyja skuadrat, që dalin  me të njëjtët lojtarë, por vetëm për pak, pasi zëvendësimi i parë vjen te Flamurtari. Në fushë Lushtaku në vend të Shehajt, ndërkohë që përgjigjet Daja, duke hedhur në fushë vlonjatin e  talentuar Deliaj në vend të Kërçikut. Flamurtari kërkon golin e sigurisë dhe ka dy momente të mira, me anë të Lushtakut dhe Idrizajt, por mungon goli, ndërsa Tirana duket në ëvshtirësi për të dalë përpara në sulm. Alvesh realizon golin e dytë për Flamurtarin, pas një sulmi model të vlonjatëve, me Lushtakun që nxjerr të lirë brazilianin, i cili i çon shifrat në 2-0. Ka sërish zëvendësime dhe pikërisht në këtë moment Tirana realizon me anë të Papës një gol shumë të bukur, me një goditje nga jashtë zonës. Ka ende 10 minuta ankth dhe Lakoste mund të kishte mbyllur gjithçka, por nuk arrin para portës në gjuajtjen e tij me kokë. Minutat kalojnë dhe Flamurtari ruan avantazhin, pavarësisht përpjekjeve të Tiranës. Mbyllet 2-1 me Flamurtarin, që shkon në kuotën e 34 pikëve, por ende asgjë nuk ka përfunduar, pasi java e ardhshme dhuron një finale të vërtet për vlonajtët me ndeshjen që luajnë në Ballsh. Tirana i jep fund ëndrrës Europë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.