Flamurtari merr fitore oksigjeni në Lushnjë, shkëlqen Nedeljkoviç

Flamurtari nuk mund të dështonte edhe në Lushnjë. I duhej fitorja, si oksigjeni, e mori. Një sukses 2-0 pa shumë sforcim dhe me shumë mungesa në formacion.

Në mesfushë dhe sulm shumë lojtarë të dëmtuar, ndaj trajneri Shpëtim Duro bëri ndryshime, edhe taktike, për të mundur një Lushnjë që luante pa asnjë presion mbi vete.

Ndeshje me ritëm të ulët, ku më shumë dëgjohej trajneri Ilir Gjyla, sesa tifozët, që numëroheshin me gishta.

Me një sulm krejt të ri, Flamurtari gjeti golin në fundin e pjesës së parë me Nedeljkoviç, pas një pasimi të bukur nga Tunkara. Raste të shumta, por asnjë gol tjetër për shumë minuta, ndërsa Lushnja mbeti me 10 lojtarë prej minutës së 50-të.

Gjithsesi, Flamurtari e mbylli ndeshjen vetëm në minutat e fundit, kur Nedeljkoviç u bë njeriu i ndeshjes, sepse i dha një pasim perfekt Useinit, që nuk gaboi. Për të dy, golat e parë shqiptarë sot, ndërsa Flamurtari merr pikë qetësie.

Lushnja – Flamurtari       0-2

Shënues: Nedeljkoviç 39′, Useini 87′

Lushnja: Bejte, Magani, Premçi, Marku, Ruço (Korreshi 52′), Alushi (Haxhiu 82′), Gava, Branica (Marko Çela 78′), Papa, Mone, Sefa. Të gatshëm: Spaho, Meto, Përgjini, Rediol Ademi

Trajner: Ilir Gjyla

Flamurtari: Nurkoviç, Bicaj, Pollozhani, Deliaj (Muarem 81′), Siljanovski, Musta, Sidibe, Zuka, Hoxhaj (Useini 64′), Nedeljkoviç, Tunkara (Zhufo 73′). Të gatshëm: Sali, Veliu, Danilo Alvesh

Trajner: Shpëtim Duro

Kartonë të verdhë: Branica 42′, Mone 55′ / Siljanovski 66′

Karton i kuq: Marku 50′

Gjyqtarë: Olsi Sokoli, Ermal Barushi, Melis Dervishi, Kreshnik Cjapi

Delegat: Plarent Kotherja; Vëzhgues: Arjan Mali

EPISODET

3′ Goditje dënimi jashtë zone për Flamurtarin. Ardit Hoxhaj kroson në zonë, ku një mbrojtës vendas devijon rrezikshëm dhe topi del jashtë, shumë pranë shtyllës së majtë të portës lushnjare.

8′ Flamurtari shënon, por goli anulohet. Disa lojtarë të Flamurtarit në zonë, pas një krosi, ndërsa godet Pollozhani me kokë dhe shënon, por anësori ka ngritur flamurin për pozicion jashtë loje.

13′ Tunkara humbet një shans të artë. Goditje nga këndi për Flamurtarin, topi devijohet dhe shkon në qendër të zonës, ku sulmuesi godet fluturimthi, por mbi traversë!

26′ Sërish gol i anuluar për Flamurtarin. kros nga e djathta, në qendër të zonës devijon Musta dhe topi i rrëshqet portierit Bejte, duke kaluar vijën fatale. Megjithatë, arbitri sinjalizon një prekje me dorë nga Musta.

30′ Kros nga e majta e sulmit vlonjat, në qendër të zonës Nedeljkoviç godet fort, por e ndal traversa. I pafat sulmuesi!

39′ GOL FLAMURTARI! Ishte në ajër dhe goli i Flamurtarit erdhi. Një depërtim i bukur i Deliajt nga e majta e sulmit, pasim te Tunkara, i cili me zgjuarsi pasoi te Nedeljkoviç. Sulmuesi serb më në fund zhbllokohet, duke gjetur golin e parë shqiptar, me një gjuajtje të fortë me të majtën.

46′ Flamurtari e nis në sulm dhe Tunkara humbet sërish një rast të artë për shënim. Nedeljkoviç i kthen nderin, duke i dhënë një pasim perfekt në zonë, por gjuajtja e sulmuesit të huazuar nga Lacio ndalet me këmbë nga portieri vendas Bejtja.

50′ LUSHNJA ME 10 LOJTARË! Marku kryen një faull të frikshëm ndaj Ardit Hoxhajt, duke i ndërhyrë fluturimthi me këmbën e ngritur. Mund ta dëmtonte rëndë vlonjatin, i merituar kartoni i kuq!

55′ Flamurtari sërish pranë golit. Hapësira të mëdha për sulmin kuqezi, por Ardit Hoxhaj nga pak metra godet, pa arritur të shënojë, i vetëm me portierin lvendas. Nervozizëm te lushnjarët.

60′ Një goditje dënimi për Lushnjën, top në zonë dhe aty Sefa i vetëm godet me kokë, por eviton golin Nurkoviç.

70′ Sërish Lushnja e rrezikshme, Sefa i vetëm në qendër të zonës, por godet me kokë mbi traversë.

74′ Pas shumë minutash, Flamurtari del përpara. Nedeljkoviç i shpëton pozicionit jashtë loje, shkon në zonë dhe gjuan bukur, por portieri Bejte devijon në këndore.

87′ GOL FLAMURTARI! Meti Useini shënon edhe golin që mbyll ndeshjen. Vendimtar Nedeljkoviç, i cili hyn në zonë dhe pason bukur për mesfushorin, i cili me portën bosh nuk mund të gabonte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *