Flamurtari merr edhe dy “xhevahirët” e Besëlidhjes

Flamurtari po kompletohet gjithnjë e më shumë dhe tashmë trajneri Shpëtim Duro ka kthyer në realitet premtimin e bërë para disa javësh: skuadra do të ribëhet nga e para, që në fillim të korrikut, dhe duket se do të jetë gati për fillimin e sezonit, pasi tashmë Duro ka 2 muaj kohë që nga grupi i ri të ndërtojë një skuadër të vërtetë.

Lajmi i fundit se futbollistët nga Maqedonia nuk do të llogariten më si të huaj ka qenë një surprizë e bukur në Vlorë, pasi tashmë lirohen vende për të huajt dhe Siljanovski e Useini do të konsiderohen vendas, duke bërë që vetëm Tomisllav Bushiç dhe braziliani Zhufo të jenë të huaj, gjithnjë duke menduar që Danilo Alvesh nuk kthehet më në Vlorë.

Për këtë arsye, Flamurtari ka disa vende bosh për lojtarë të huaj dhe “Sport Ekspres” zbulon se klubi kuqezi ka bërë dy goditjet e radhës: nga Besëlidhja transferohen në Vlorë dy zbulimet e mëdha të sezonit të fundit, Lansinet Sidibe dhe Seku Kamara.

Të dy vijnë nga një sezon i shkëlqyer, edhe pse Besëlidhja nuk u ngjit dot në Superiore, ndërsa tashmë bëjnë hapin e madh të karrierës.

Sidibe është vetë, 20 vjeç, luan në mesfushë dhe mbrojtje, sezonin e fundit ishte një pikë kyçe në formacionin lezhjan, duke luajtur 29 ndeshje mes kampionatit e kupës, gjithnjë titullar, me 2 gola të shënuar dhe 9 kartonë të verdhë, çka tregon se është një lojtar paksa i ashpër fizikisht.

Ndërkaq, Seku Kamara nuk i ka mbushur ende 20 vjeç dhe luajti 29 ndeshje në formacionin bazë te Besëlidhja sezonin e fundit, me 9 gola në kampionat e 1 në kupë. Goli në kupë u shënua në fitoren 2-1 në Vlorë ndaj Flamurtarit dhe aty Kamara ka befasuar të gjithë me ritmin e tij të jashtëzakonshëm në krahët e sulmit, duke futur në krizë gjithë mbrojtjen vlonjate. Lojtar i shpejtë e shumë teknik, Kamara arrin të japë më të mirën në fusha të mëdha, ku ka shumë hapësirë, ndërkohë që në Vlorë pritet të zhvillohet edhe më shumë, sepse mosha e tij e re dhe puna me Duron janë një avantazh i madh, me Flamurtarin që do ta trajtojë si një investim serioz.

Të dy futbollistët janë tashmë drejt Vlorës dhe do të firmosin që sot, duke bërë që Flamurtari të jetë thuajse i kompltuar dhe të presë vetëm fundin e aventurës evropiane të skuadrave shqiptare, pasi disa lojtarë do të dalin në treg brenda pak javësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *