Flamurtari, “mbijeton” vetëm Muarem nga afrimet e janarit

Elton Nika

Muarem, Nedeljkoviç, Zuka dhe Tunkara ishin katër futbollistët e ofruar në merkaton e janarit te Flamurtari. Në fakt, erdhi edhe maqedonasi Gafuri, i cili pas fazës përgatitore u huazua te skuadra e Renovës, prej nga erdhi. Nga të gjithë këta, vetëm Muarem Muarem është në planet e drejtuesve të klubit kuqezi për sezonin e ardhshëm, kurse të tjerët janë drejt largimit nga Vlora. Tunkara, Nedeljkoviç dhe Zuka nuk dhanë atë që pritej me fanellën e Flamurtarit dhe gjasat janë që me mbylljen e sezonit t’i kenë dhënë lamtumirën ekipit kuqezi, edhe pse mungon zyrtarizimi. Mbetet për t’u parë si do të veprohet me mesfushorin Gafuri, të cilit i përfundon huazimi me Renovën, ndërkohë që kartonin e tij e disponon Flamurtari. Mesfushori u largua në janar, pa luajtur asnjë ndeshje në Vlorë, për shkak se nuk mund të qëndronte larg familjes së tij. Në klubin vlonjat nuk është diskutuar asnjëherë për këtë lojtar, por me shumë mundësi edhe ai nuk do të kthehet te kuqezinjtë, por do të luajë sërish në Maqedoni.

MUAREM – Muarem ishte i vetmi që tregoi kualitet në disa ndeshje, pavarësisht se edhe ai më shumë qëndroi jashtë fushe, për shkak dëmtimesh. Por drejtuesit e Flamurtarit kanë vlerësuar cilësitë e tij dhe duan që ta mbajnë mesfushorin që ndihmon shumë në lidhjen mes repartit të tij dhe sulmit. Merkatoja e janarit rezultoi e dështuar, siç ndodh në fakt në të shumtën e rasteve, jo vetëm te Flamurtari. U shpenzuan shuma të mëdha në këtë merkato dhe Muarem ishte lojtari më i shtrenjtë që u afrua në ekip. Nuk e justifikoi me atë çfarë dha në gjysmën e dytë të kampionatit, por është një lojtar që premton se mund t’i bëjë punë skuadrës vlonjate me kualitetin që zotëron.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *