Flamurtari, largohen tre të huaj, pezullohen Veliu dhe Arbëri

0

Tomiç, Nikoliç dhe Urdinov e kanë prerë “biletën”. Klubi ka pezulluar edhe dy mbrojtësit shqiptarë, por largimi i tyre pritet vetëm të zyrtarizohet

 

Elton Nika

 

Pak ditë më parë u paralajmërua nga drejtuesit vlonjatë ndërprerja e kontratës me lojtarët e huaj dhe jo vetëm. Përveç të huajve, të cilët i kanë bërë që dje valixhet gati, përveç sulmuesit Buval, janë pezulluar nga klubi edhe mbrojtësit Franc Veliu dhe Polizoi Arbëri. Edhe pse ende nuk ka një vendim zyrtar, të dy këta lojtarë mund të konsiderohen të larguar nga Flamurtari dhe për sezonin e ri duhet të kërkojnë një strehë të re. Veliu dhe Arbëri, prej vitesh pjesë e Flamurtarit, i pari edhe kapiten, duhet të stërviten me skuadrën e të rinjve. I njëjti komunikim u është bërë edhe lojtarëve të huaj, por këta të fundit duket se preferojnë të largohen para kohe nga Vlora. Veliu dhe Arbëri, që nuk do të jenë pjesë e skuadrës për ndeshjen në Shkodër me Vllazninë, nuk kanë qenë të pranishëm në dy seancat e fundit stërvitore, duke konfirmuar kështu vendimin e klubit për pezullimin e tyre. Këta dy lojtarë janë pezulluar nga klubi vlonjat edhe në muajin nëntor të vitit të kaluar, pas rezultateve negative të Flamurtarit. Në atë kohë ata u pezulluan, bashkë me tre lojtarë të tjerë, dhe më pas u rikthyen. Dy mbrojtësit duhet të stërviten me skuadrën U-19 të Flamurtarit deri në një vendim tjetër vendim nga ana e klubit.

TOMIÇ-NIKOLIÇ-URDINOV – Përveç Arbërit dhe Veliut, dje në stërvitjen e Flamurtarit kanë munguar edhe tre nga lojtarët e huaj. Baco Nikoliç, Vukashin Tomiç dhe Yani Urdinov nuk kanë qenë pjesë e skuadrës në përgatitjet për Vllazninë dhe duket e ndërprerja e paralajmëruar e kontratës me ta është bërë fakt i kryer. Të tre këta lojtarë erdhën në Vlorë gjatë merkatos së janarit, por kanë zhgënjyer totalisht me paraqitjen e tyre. Vetëm tri ditë më parë, nga drejtues të skuadrës u konfirmua për “Sport Ekspres” se lojtarët e huaj janë drejt largimit, për shkak të performancës së dobët. Të huajt nuk kanë lënë asnjë gjurmë dhe për ta nuk ishte e vështirë të vendosej për largimin nga Flamurtari. Por “spastrimet” kanë kapur deri tani edhe dy nga lojtarët shqiptarë, Franc Veliun dhe Polizoi Arbërin. Edhe pse vendimi në fuqi është për pezullim të tyre dhe stërvitje me të rinjtë, rikthimi me skuadrën e parë duket i pamundur. Deri në fund të sezonit aktual janë për t’u luajtur edhe 6 ndeshje, ndërkohë që  objektivat janë përmbyllur me kohë, ndaj dhe drejtuesit e klubit kanë nisur të hedhin që tani hapat e Flamurtarit të sezonit 2015-2016. Humbja e 7-të radhazi ka bërë që të veprohet më para nga sa ishte menduar, pasi pritej që vlonjatët ta mbyllnin kampionatin me këtë kontingjent. Të gjithë në Vlorë janë totalisht të zhgënjyer me ecurinë e skuadrës dhe ajo që pritet është riformatimi i grupit për sezonin e ardhshëm. Lëvizjet tashmë kanë nisur me pezullimin apo më mirë largimin e të huajve, si dhe të  Arbërit dhe Veliut. Ditët në vazhdim pritet të dalë edhe vendimi zyrtar i klubit, që konfirmon largimin e këtyre 5 lojtarëve, por edhe të të tjerëve, pasi pritet të ketë zhvillime të tjera. Janë edhe lojtarë të tjerë, të cilët rrezikojnë të jenë pjesë e Flamurtarit për sezonin e ardhshëm. Nga të huajt mund të mbijetojë vetëm sulmuesi Buval.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.