Flamurtari kthehet në janar? Mamaj: Idrizi i vendosur kushte bashkisë, nuk është “ping-pong”

Flamurtari është në një gjendje shumë të keqe, ndoshta duke kaluar momentet më të hidhura të viteve të fundit dhe kjo nuk ka nevojë për shumë diskutime. Por sigurisht që për t’u komentuar është problematika e vlonjatëve, atje ku edhe administrator Sinan Idrizi ka kërkuar prej kohësh një zgjidhje nga bashkia sa i përket klubit dhe vazhdimësisë së menaxhimit.

Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, ka folur më tepër mbi këtë çështje. I ftuar në emisionin “Pressing” që transmetohet në “ABC News”, Mamaj tha se në vitin 2020 shpresohet se gjithçka do të zgjidhet, duke lënë të nëkuptohet një rikthim të Flamurtarit në merkaton dimërore.

“Realisht, mund të them që gjendja e Flamurtarit tregon se ka përgjegjësi. Përgjegjësitë janë të gjithëve edhe nuk mund të pranohet që Flamurtari të jetë në fund të renditjes.

Administrim-financimi që bëhet nga Idrizi dhe Bashkia e Vlorës janë evidente. Shpresoj që në vitin 2020 të zgjidhet gjithçka në kohë (privatizimi), për të mirën e Flamurtarit. Nuk mendoj se është një “ping-pong” i bukur, por një marrëveshje që duhet respektuar nga të dyja palët, si Bashkia, ashtu dhe shoqëria financiare.

Ne përpiqemi gjithmonë të gjejmë fajtorët, por realisht Sinani ka pesë vite që investon për Flamurtarin. Nuk ka rëndësi nëse është në vend të fundit apo jo. Realisht, Sinani po investon. Ligji i privatizimit po e pengon. Ai i ka vënë dhe disa kushte Bashkisë dhe Këshillit bashkiak”, u shpreh Mamaj. /Sport Ekspres/