Flamurtari këmbëngul, Sidibe kërkohet edhe… në Portugali  

Mesfushori nga Guinea është objektivi kryesor i kuqezinjve. Veç Partizanit, për mesfushorin e Besëlidhjes interesohen edhe jashtë vendit

Elton Nika

Lansinet Sidibe, i huazuar nga Besëlidhja së bashku me Seku Kamara, mesfushori zhvilloi një sezon fantastik me fanellën e Flamurtarit, çka ka bërë që të interesohen për të shumë skuadra të tjera brenda dhe jashtë vendit. Prej disa ditësh lojtari është përfolur si një përforcim i Partizanit në këtë merkato vere, por në fakt duket asgjë nuk mund të quhet e përfunduar. Në Vlorë Sidibe shihet sërish si një nga objektivat e merkatos dhe këtë ia kanë shprehur edhe vetë lojtarit nga Guinea. Mesfushori po merr në shqyrtim çdo lëvizje të mundshme. Natyrisht, ashtu si edhe është shprehur vetë lojtari, Flamurtari mbetet zgjedhja e tij e parë në kampionatin shqiptar. Por aktualisht ai synon të luajë në një kampionat të huaj. Interesimi për Sidibe ka ardhur edhe nga kampionati portugez, konkretisht nga një skuadër që aktualisht luan në ligën e dytë dhe synon ngjitjen në elitë. Sidibe po e studion mirë këtë opsion, pasi pas sezonit të mirë te Flamurtari kërkon të hedhë një hap tjetër të rëndësishëm në karrierën e tij. Kalimi në një kampionat të huaj do t’i jepte mundësinë të zhvillohej edhe më shumë. Gjithsesi për momentin asgjë nuk është vendosur Lansinet Sidibe është cilësuar si një nga mesfushorët më të fortë të sezonit të kaluar, ndaj edhe te Flamurtari, por edhe trajneri Ilir Daja e drejtuesi e duan pjesë të skuadrës për sezonin e ardhshëm.

TAKIMI PËR MERKATON

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ndodhet në Turqi për momentin dhe kjo po pengon procesin e rinovimit të kontratave. Me rikthimin në Vlorë pritet të nisë nënshkrimi i kontratave të reja. Emrat e atyre që do të mbeten në Vlorë janë përfolur shpesh këtë periudhë, teksa në listë janë lojtarë si Pollozhani dhe Siljanovski, me të cilër do të vijohet të diskutohet. Edhe emra të tjerë si Bicaj e Veliu janë në planet e drejtuesve. Gjithsesi gjithçka pritet të kryhet në ditët në vijim, kur edhe administratori Idrizi të mbërrijë nga Turqia në Vlorë. Në ditët në vijim, burime nga klubi vlonjat saktësojnë se pritet edhe një tjetër takim mes Idrizit dhe trajnerit Ilir Daja. Në të do të përcaktohet shumë për merkaton. Një nga temat e nxehta të diskutimeve mbetet afrimi i lojtarëve cilësorë, një kërkesë të cilën vetë trajneri e quan mjaft të rëndësishme. Ai kërkon që të nisë punën me një grup lojtarësh që ai i mendon se duhet të jenë pjesë e skuadrës. Megjithatë shumë do të përcaktohet këtë javë pas mbërritjes së Idrizit në Vlorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *