Flamurtari i sezonit të ri, përvojë dhe uri të rinjsh

0

 

Klubi vlonjat ka ndryshuar strategjinë, duke larguar nga emrat e bujshëm. Besim të rinjve, por jo sa për sy e faqe. Shansi i artë për t‘i lançuar në futbollin shqiptar me fanellën kuqezi 

 

Elton Nika

Për Flamurtarin ka ndryshuar shumë këtë sezon strategjia në merkato. Nuk ka më emra të bujshëm dhe zhurmë të madhe si verat e kaluara, por ka më shumë besim te lojtarët e rinj dhe pa shumë emër. Një strategji kjo e zgjedhur nga klubi vlonjat për sezonin e ardhshëm dhe e përkrahur nga trajneri Gugash Magani, i cili e ka në thelb të punë së tij këtë metodë. Në fakt, Flamurtari është djegur vitet e fundit, kur jemi mësuar me afrime të bujshme në merkato dhe lojtarë nga më cilësorët në kampionatin shqiptar apo edhe të huaj, por rezultatet kanë qenë dëshpëruese.

JO EMRA – Vlonjatët po veprojnë shumë më ndryshe aktualisht dhe trajneri i Gugash Magani ka vendosur të mbështetet te të rinjtë dhe uria e tyre për të arritur sukses. Kjo është dukur qartë nga përzgjedhja dhe afrimet e bëra në merkato deri më tani nga klubi kuqezi. Alesio Hyseni, Julian Gjinaj dhe Arbër Beqaj nuk janë thjesht tre të rinj të seleksionuar për t’u stërvitur me ekipin e parë. Ata do të kenë shanset e tyre dhe duhet t’i shfrytëzojnë për të zënë vend te Flamurtari, ku kanë luajtur nga pak minuta sezonin që shkoi. Beqaj dhe Gjinaj kanë luajtur në pak ndeshje me Flamurtarin e madh, kurse Hyseni vjen nga të rinjtë e Peruxhias në Itali. Këta lojtarë, pavarësisht moshës së re, synohet që të integrohen sa më parë me skuadrën e parë. Po kështu, edhe merkatoja është bërë me emra lojtarësh, që pak njihen në kampionatin shqiptar, por që janë vëzhguar me kujdes nga drejtuesit e Flamurtarit. Strategjia e stafit aktual kërkon lojtarë punëtorë, ashtu siç trajneri Magani ka bërë me çdo skuadër që drejtuar në karrierën e tij. Pikërisht për këtë arsye trajneri peqinas ka bërë një javë fazë seleksionuese, për të kuptuar se cilët lojtarë janë të kësaj natyre.

BOSHTI – Megjithatë, pavarësisht dëshirës për të ingranuar të rinjtë në skuadër, kuptohet që boshti do të përbëhet nga disa titullarë të sezonit të kaluar dhe disa afrime nga jashtë vendit. Këtu kemi parasysh portierin Argent Halili, mbrojtësin Ilir Berisha, edhe pse nuk ka luajtur sezonin e fundit për shkak dëmtimi, kapitenin Bruno Telushi, mesfushorin Hair Zeqiri, sulmuesin Danilo Alvesh, por edhe disa nga përforcimet e verës, siç janë serbi Rniç, malazezi Radoviç, kroati Bushiç, japonezi Iinuma e ndonjë tjetër. Mund të rezultojë një ndërthurje e suksesshme për vlonjatët në sezonin e ri, ku, siç e kanë theksuar shpesh drejtuesit e klubit, lojtarët duhet të kuptojnë rëndësinë dhe peshën e fanellës, që do të mbajnë veshur. Kjo verë ka qenë ndryshe dhe tani mbetet për t’u parë, nëse do të kemi një Flamurtar ndryshe sezonin e ri apo do të përsëritet e njëjta histori. Besimi është i madh për një skuadër shumë më ndryshe, ta paktën nga ajo çfarë pritet të japë në fushë.

 

3 lojtarë

të rinj janë përzgjedhur nga trajneri Gugash Magani gjatë fazës seleksionuese njëjavore. Hyseni, Gjinaj dhe Beqaj janë tre të rinjtë, që do të jenë pjesë integruese e Flamurtarit të sezonit të ardhshëm.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.