Flamurtari i Duros bind Lutajn: Është për “Top4”

Ish-trajneri flet nga Suedia për vlonjatët, që këtë vit i sheh lart dhe beson se do ia dalin të renditen në katër ekipet më të mira. Ka edhe një këshillë

Elton Nika

Edmond Lutaj, ish-trajneri i Flamurtarit, tashmë me banim në Suedi, vijon t’i kushtojë vëmendje të madhe kampionatit shqiptar dhe kryesisht ecurisë së Flamurtarit. Ai beson se ky është viti i duhur, duke i cilësuar kuqezinjtë si një skuadër cilësore. Megjithatë Lutaj bën edhe një këshillë, nëse mund të quhet e tillë, teksa kërkon që të mos merren shumë me gjykimin, por përgjigjen ta japin në fushën e lojës.

“Këtë sezon, të paktën deri më tani, e shoh Flamurtarin një skuadër mjaft cilësore dhe besoj plotësisht se kjo skuadër mund të renditet në fund të kampionatit mes katër skuadrave më të mira të kampionatit”, shprehet Lutaj, që më pas arsyeton mendimin e tij. “Këtë e bazoj te paraqitjet e deritanishme të skuadrës në fushën e lojës, por që besoj se ka ende vend për t’u përmirësuar. Skuadra është e re dhe duhej kohë e mjaftueshme për t’u konfiguruar, ndaj mendoj se nga java në javë Flamurtari do të rritet në lojën e vet. Besoj shumë edhe tek trajneri Shpëtim Duro, i cili ka krijuar skuadrën sipas mënyrës dhe ideve të veta dhe natyrisht do të kërkojë të marrë më të mirën nga kjo skuadër. Janë lojtarë që e njohin dhe ai i njeh, ndaj edhe futbollistët dinë t’i përgjigjen dhe do të vijojnë ta bëjnë diçka të tillë në fushën e lojës. Nuk e kam ndjekur Flamurtarin vetëm ndeshjen e fundit, por nga ajo çfarë kam parë deri më tani, skuadra i ka të gjitha mundësitë të bëjë një sezon edhe më të mirë”, thotë ish-trajneri, që më pas pyetet edhe për gjykimin që i është bërë vlonjatëve deri më tani në kampionat.

“Mendoj se klubi dhe skuadra nuk duhet të merren shumë me gjykimin, por ta lënë mënjanë dhe të përgjigjen në fushën e lojës. Nuk i di gabimet në ndeshjen e fundit në kampionat, por kam parë ato në Durrës dhe Shkodër dhe është për të ardhur keq. Megjithatë nuk duhet që të merren shumë me gjykimin apo arbitrat, nëse kjo mund të quhet si këshillë. Për gjithçka skuadra i ka mundësitë që përgjigjen më të mirë ta japë në fushën e lojës”, vijoi deklaratën Lutaj, që i bën analizë edhe kampionatit, që e sheh mjaft të fortë dhe shumë të vështirë për të bërë parashikime, pasi shumë ndeshje po fitohen nga skuadrat udhëtuese, që një javë më parë mund të kenë bërë hap fals në shtëpi.

“E shoh shumë të vështirë dhe të paparashikueshëm kampionatin, sepse po shohim që skuadrat nuk arrijnë të marrin pikë në fushën e tyre dhe javën pasardhëse të fitojnë në transfertë. Ndaj e shikoj një kampionat shumë të fortë këtë vit. Kjo e bën edhe më të bukur kampionatin, por unë e shoh se Flamurtari me grupin që ka dhe duke parë edhe skuadrat e tjera, i ka të gjitha mundësitë të renditet në katër vendet e para deri në fund të kampionatit. Madje mund të rivalizojë me sukses në çdo moment, por duhet të shohë vetëm ndeshje pas ndeshje dhe kundërshtarin e radhës. Duke u kthyer tek gjykimi dhe arbitrat, mendoj se ata kanë një pjesë shumë të rëndësishme në dorën e tyre, ndaj duhet që të jenë më të përgjegjshëm, pasi luajnë me fatet dhe objektivat që ka çdo skuadër në këtë kampionat. Gjithsesi kjo është një çështje tjetër, ndërsa ashtu si thashë, mendoj se Flamurtari duhet t’i lërë mënjanë gjyqtarët dhe të shoh përpara ndeshjet e veta. Ky Flamurtar ka shumë mundësi për të bërë gjëra të mira këtë sezon”, përfundon Lutaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *