“Flamurtari i destinuar për fitore”

0

Drejtori Sportiv i vlonjateve, Vangjel Laluci shprehet i kënaqur me rezultatet e fundit të ekipit, ndërsa është i bindur për triumf ndaj ballshiotëve

 

 

Elton NIKA  

 

Në Vlorë kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv. Pas barazimit në kryeqytet kundër Tiranës, Flamurtari tashmë dëshiron fitoren ndaj Bylisit. Edhe pse gjatë ditëve të fundit, problemi i vonesave të pagave ka qenë tema kryesore në ambientin e klubit bregdetar, ekipi vijon të përgatitet për sfidën e vlefshme për javën e 8-të të Superiores. Drejtori Sportiv i Flamurtarit, Vangjel Laluci ka konfirmuar se kundër Bylisit, synimi i vetëm është marrja e tri pikëve, për të vijuar kështu në rrugën e duhur dhe drejt përmbushjes së objektivit sezonal. “Jemi të kënaqur me rezultatet që skuadra ka marrë së fundmi në kampionat, por edhe në Kupë. Përveç këtij fakti të rëndësishëm, Flamurtari ka treguar rritje edhe në lojë. Megjithatë asnjëherë nuk duhet të kënaqemi me pak. Besoj se potenciali që zotërojnë këta lojtarë dhe kjo skuadër  është edhe më e madhe se kaq. Ka ende vend për t’u përmirësuar dhe mendoj se në vazhdim, ky Flamurtar do të jetë në gjendjen e tij më të mirë. Mund të luajmë pa asnjë problem ndaj çdo kundërshtari dhe këtë e kemi treguar edhe në takimin e fundit që zhvilluam ndaj Tiranës në kryeqytet. Trajneri Stanislav Levi ka meritën e tij për atë çfarë ka arritur të përçojë te kjo skuadër, duke treguar vlerat e tij si profesionist. Gjithashtu, edhe lojtarët kanë bërë më të mirën e mundshme, duke treguar ego dhe karakter në fushën e lojës. Në prag është ndeshja kundër Bylisit. Flamurtari është duke u menduar vetëm te kjo përballje, me qëllimin që të sigurojë tri pikët e radhës. Kemi besim se do të vijojmë me ngjitjen në tabelën e klasifikimit. Qëllimi ynë është vetëm ndeshja e radhës dhe jemi duke punuar pikërisht për këtë përballje”, konfirmon Drejtori Sportiv i Flamurtarit, Vangjel Laluci.

 

4 PIKË

Ka marrë Flamurtari në dy ndeshjet e fundit në kampionat, një fitore ndaj Tërbunit (7-0) dhe barazim kundër Tiranës (1-1).

 

 

Me mendjen te Bylisi dhe…te rrogat

 

Flamurtari merr edhe njëherë garancinë se situata e krijuar nga vonesat e pagave do të marrë tashmë një zgjidhje përfundimtare. Një gjë e tillë mendohet se do të ndodhë ditën e mërkurë të javës së ardhshme, përpara takimit kundër Skënderbeut në Korçë. Pas përgjigjes së ardhur nga institucioni i bashkisë së Vlorës, çështja e vonesave të rrogave, merr kështu një tjetër afat. Një situatë kjo, e cila natyrisht që ka krijuar jo pak shqetësim Flamurtari, pavarësisht faktit se në fushën e lojës, lojtarët kanë treguar krejtësisht të kundërtën, duke arritur të marrin rezultate pozitive.

 

 

Largohen ndihmësit e Levit,

por s’ka vend për panik

 

Roberto Maltaliati, zv. trajneri i Flamurtarit dhe Mauricio Milana, përgatitësi atletik i ekipit janë larguar dje nga qyteti i Vlorës. Dy italianët e ardhur te skuadra bregdetare në kohën kur ekipi drejtohej nga ish-trajneri Ramela mësohet se do të kthehen javën e ardhshme. Si fillim u mendua se aventura e tyre me ekipin e Flamurtarit kishte përfunduar dhe se ky largim lidhej me çështjen e vonesave të pagave. Por, nga burime zyrtare pranë klubit kuqezi mësohet se ata janë nisur drejt vendlindjes për arsye personale. Nga sa bëhet e ditur, largimi i tyre nuk ka lidhje me vonesat e rrogave, çka ka bërë që edhe ambienti sportiv në Vlorë të qetësohet. Kjo pasi çdo gjë lidhej me këtë çështje dhe sidomos pas largimit të sulmuesit Bedi Buval. Francezi i ka dhënë fund aventurës së tij me Flamurtarin, duke mos duruar situatën e krijuar së fundi në klubin vlonjat.

 

 

Vijojnë përgatitjet,

sot zhvendosen në stadium

Flamurtari ka zhvilluar dje, seancën e radhës stërvitore. Mendohet se ditën e sotme, do të ndryshojë programi i përgatitjeve, duke bërë një zhvendosje të orarit dhe vendit ku ajo do të kryhet. Skuadra vlonjate është stërvitur pranë fushës me bar sintetik në Pyllin e Sodës, ndërsa 24 orë para takimit me ballshiotët është menduar që përgatitjet të zhvillohen rreth orës 13:00 në fushën e stadiumit.

 

 

Grupi i plotë, shqetëson Greca

Për sa i përket gjendjes shëndetësore të lojtarëve, ai që shqetëson është mesfushori Bedi Greca, ndërsa grupi i lojtarëve është i plotë për trajnerin Levi. Për ish-lojtarin e Tërbunit, autor i dy golave deri tani me Flamurtarin bëhet fjalë për një dëmtim të pësuar pikërisht në ndeshjen e kampionatit kundër ekipit pukjan. Gjendja shëndetësore e Grecës pritet të verifikohet për të parë mundësinë e grumbullimit për takimin kundër Bylisit. Mendohet se ditën e sotme do të merret një vendim përfundimtar, nëse mesfushori do të jetë ose jo në urdhrat e trajnerit Levi për takimin kundër Bylisit.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.