Flamurtari, gati rinovimet e radhës për vlonjatët

Janë vetëm Useini, Musta dhe Bushiç të zyrtarizuar si pjesë të skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm. Këto ditë pritet që listës t’i shtohen disa të tjerë

Elton Nika

Pas rinovimeve të Mustës, Useinit dhe Bushiçit, është gati lista me lojtarët e tjerë që pritet të rinovojnë në Vlorë. Gjatë kësaj jave do të ketë lëvizje në merkato dhe gjithçka nis pikërisht me rinovimet e lojtarëve të sezonit të kaluar. Pollozhani, Veliu, Bicaj, por edhe Sidibe e Kamara, janë emrat e parë që janë në planet e kuqezinjve edhe për sezonin e ardhshëm.  Më pas vijnë edhe Danilo Alvesh, apo edhe Siljanovski, i cili është dëshirë e madhe e trajnerit Ilir Daja. Problem mbetet interesimi i shumë skuadrave jashtë Shqipërisë për mbrojtësin e krahut të djathtë. Nëse për disa nga emrat e përmendur më lart rinovimi nuk pritet të jetë një problem, ndryshe është situata për Sidibenë dhe Kamaranë. Ata janë në dyshim të madh, pasi janë dy lojtarë, të cilëve tashmë u ka përfunduar huazimi nga Besëlidhja dhe vijimi i karrierës së tyre në Vlorë mbetet në udhëkryq të madh. Për ta ka interes nga shumë skuadra të tjera në vend. Gjithsesi, rinovimet do të nisin me lojtarët e cilësuar të rëndësishëm për projektin e sezonit të ardhshëm. Diskutimet për kontratat e reja në klubin kuq e zi do të jenë fjala kryesore e kësaj jave.

SULMI – Bushiç dhe Alvesh do të mbeten pjesë e skuadrës, kurse Ardit Hoxhaj është drejt rikthimit në Korçë. Edhe Nedeljkoviç nuk do të jetë pjesë e Flamurtarit, ndaj edhe në klubin vlonjat po mendojnë të afrojnë edhe një tjetër lojtar goli. Një lojtar i tillë është prioritet edhe nga vetë trajneri Ilir Daja, i cili kërkon veç emrave të konfirmuar edhe një tjetër lojtar me mjaft cilësi, por sigurisht që të dijë të shënojë gola. Kjo është edhe një nga kërkesat kryesore të trajnerit Daja. Për një lojtar të tillë po kërkohet në tregun e huaj. Alvesh dhe Bushiç janë dy lojtarë që edhe nga vetë Daja janë menduar pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm, por krahas tyre, duhet edhe një tjetër afrim cilësor. Nedeljkoviç nuk i përmbushi aspak pritshmëritë dhe nuk do të vijojë të qëndrojë në Vlorë, ashtu si Hoxhaj që kthehet drejt Korçës. Ndaj një emër i tretë sulmuesi është domosdoshmëri. Burime nga klubi vlonjat bëjnë madje me dije se do të jetë një goditje e rëndësishme, një afrim mjaft cilësor dhe një lojtar me shumë peshë. Për t’u zbuluar mbetet  vetëm emri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *