Flamurtari fiton gjyqin me Nijaz Lenën

0

Klubi vlonjat ka fituar gjyqin me ish-mesfushorin Nijaz Lena, aktualisht pjesë e Kukësit. Futbollisti nga Struga u largua vitin e kaluar nga Vlora, duke veshur fillimisht fanellën e Teutës dhe më pas atë të Kukësit. Ai ka ngritur pretendimin e disa pagave të papaguara nga ana e klubit “Flamurtari” dhe i është drejtuar zyrtarisht Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve pranë FSHF-së. Pak kohë më parë, vetë administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, u shpreh se largimi i Lenës nga Vlora erdhi me dëshirën e vet këtij të fundit dhe për këtë u arrit një marrëveshje mes palëve për detyrimet financiare. Flamurtari, sipas administratorit Idrizi, nuk i detyrohej asgjë lojtarit.

Gjithsesi, gjatë kësaj periudhe lojtari disa herë ka ngritur pretendimet për pagesat, që i takojnë nga koha, kur luante për Flamurtarit dhe se palët nuk kishin asnjë akord mes tyre, duke bërë që çështja të kalonte në gjyq. Si Flamurtari, ashtu edhe mesfushori Nijaz Lena, kanë  shfaqur pretendimet e tyre rreth kësaj çështje, por të drejtën e ka fituar klubit vlonjat. Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve, sipas drejtuesve të klubit kuqezi, ka rrëzuar pretendimet e mesfushorit të Kukësit dhe i ka dhënë të drejtë Flamurtarit. Klubi vlonjat fiton kështu një tjetër çështje, që ka të bëjë me pagat. Gjatë kësaj periudhe nuk kanë qenë të pakta rastet, kur Flamurtari është përballur me çështje të tilla, që e kanë çuar deri në penalizim klubin vlonjat, si në rastin e lojtarëve Arbëri, Sakaj e Veliu apo edhe çështja e trajnerit Gjoka. Flamurtari ka fituar kështu një çështje, që mund ët kthehej në problematike për të.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here