Flamurtari dhe Teuta, që të mos jetë “sot për sot”

0
Teuta-Flamurtari

Teksa shihje Skënderbeun që barazonte pa u sforcuar kundër Jang Bojs, e kuptoje që një nga arsyet se përse korçarët e kanë rritur kaq shumë nivelin e tyre futbollistik është vazhdueshmëria, sidomos në emra lojtarësh. Shehi, Jashanica, Radas, Lilaj, Muzaka, Osmani dhe Vangjeli, sa për të përmendur disa emra që luajnë aty prej vitesh, njohin mirë njëri-tjetrin, klubin dhe futbollin shqiptar.

Një nga arsyet se përse rivalët tradicionalë, përfshi dhe Partizanin, nuk kanë pasur mundësinë të arrijnë gjëra të mëdha pavarësisht se kanë shpenzuar shumë para, është pikërisht fakti që pothuaj çdo verë i kanë bërë skuadrat nga e para dhe nuk kanë pasur mundësinë të krijojnë një profil të qartë  të vazhdueshëm.

Një shembull i rëndësishëm që vjen nga futbolli i madh është Napoli. Prej tre vitesh ndryshon shumë pak, madje gjatë kësaj vere nuk ishte aktiv në merkato, as nuk shiti e as nuk bleu. Ende nuk ka arritur maksimumin, por këtë sezon do luajë në grupet e Championsit dhe pretendon titullin. Aty kanë kuptuar se projektet sportive nuk duan revolucione sezonale, por mbi të gjitha qëndrueshmëri.

Ka sot dy skuadra në Shqipëri që mund të krijojnë një cikël shumë interesant nëse realisht e shohin të ardhmen me këtë sy. Nëse më pas duan që në fillim titullin dhe dëshpërohen se ndoshta nuk kapin as Europën e ndryshojnë gjithçka, janë të destinuar që të mos kenë sukses asnjëherë. Flamurtari shpenzoi 3 vite kohë duke thërritur shumë lojtarë, jashtëzakonisht shumë nga gjithë kontinentet, trajnerë e menaxherë derisa në fund kuptoi se të besuarit te një njeri i vetëm mund të jetë arma kryesore e suksesit afatgjatë.

Njësoj dhe te Teuta, shumë eksperimente çdo vit, shumë trajnerë e lojtarë që vinin e iknin pa lënë gjurmë, madje me kosto të konsiderueshme. Tani i kanë besuar sërish Maganit për të ndërtuar një të ardhme të re.

Të dyja këto skuadra nuk u shfaqën ashtu si duhet në javën e fundit. Teuta stonoi me një barazim në Kamëz, ndërsa Flamurtari zhgënjeu me një barazim në Vlorë kundër Luftëtarit. Por kjo është e kuptueshme dhe e shpjegueshme. Skënderbeu i vitit të parë mezi gjeti lojën dhe pikët pas shkurtit, ndërkohë që është absurde ti kërkosh trajnerëve dhe grupit të lojtarëve të sapo formuar sukses në çdo ndeshje.

E rëndësishme është që klubet po shpenzojnë paratë dhe janë korrektë në krijimin e kushteve, trajnerit i lihet dorë e lirë dhe në përgjithësi përzgjedhja e lojtarëve është bërë cilësore dhe e kujdesshme. Më pas, me ndonjë ndërhyrje të vogël, viti pas viti do shkohet absolutisht te suksesi. Në Durrës e Vlorë nuk duhet ta konceptojnë sot për sot, por ta shohin më mirë me syrin sot për pas… nesër.

Gj.S.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image