Flamurtari dhe Halili gjejnë akordin e rinovimit

0

 

 

 

E konfirmon vetë portieri vlonjat, i cili është i kënaqur për qëndrimin: “Në raste të tilla zgjedhja është e lehtë, pasi bëhet fjalë për skuadrën e zemrës”

 

 

Elton Nika

 

Klubi vlonjat kishte bërë me dijë ditë më parë se ishte në kërkim të një portieri për sezonin tjetër, pas largimit të Ilion Likës. Por dje është mësuar se mes Flamurtarit dhe portierit vlonjat Argent Halili është rënë dakord për vazhdimin e bashkëpunimit. E konfirmon për “Sport Ekspres” vetë Halili, i cili shprehet se do të jetë sërish në mbrojtje të portës së Flamurtarit edhe për një tjetër sezon. “Po jam takuar me drejtuesit e klubit dhe trajnerin. Kemi vendosur të vijojmë së bashku, kështu që do të jem portier i Flamurtarit edhe sezonin e ardhshëm. Eshtë ajo çfarë doja, që të vijoja këtu në Vlorë. Kanë mbetur vetëm detaje të vogla, pasi zgjedhjen time e kam bërë. Natyrisht që jam i kënaqur që jam pjesë e Flamurtarit, që është skuadra ime, aty ku jam rritur dhe formuar si lojtar. Në raste të tilla zgjedhja është shumë e lehtë për t’u bërë. Flamurtari është skuadra e zemrës”, – ka thënë dje portieri Halili.

PORTA – Në fakt, gjatë periudhës së fundit është folur jo pak për afrimin e një tjetër portieri në Vlorë, me kandidatë si Vujadinoviç apo edhe një portier italian nga kategoritë inferiore, megjithatë zgjedhja mbetet në shtëpi, me konfirmimin në këtë rol të Argent Halilit. Një portier me shumë eksperiencë, pas aktivizimeve te Flamurtari, Kastrioti dhe Kukësi. Ai cilësohet si një nga portierët më të mirë të kampionatit shqiptar dhe vlonjatët kanë zgjidhur një çështje të rëndësishme, siç është ajo e portës. Veç Halilit, për portën e Flamurtarit është i gatshëm edhe Klodian Xhelili, ndërkohë që ka mundësi të afrohet në ekipin e parë pritet edhe Sali, portieri i U-19-ës.

TË TJERËT – Klubi vlonjat tashmë duhet të mendojë për afrime të tjera në merkaton e verës, sepse koha po kalon dhe elementët cilësorë nuk është e lehtë të gjenden. Halili i bashkohet grupit të lojtarëve të konfirmuar deri tani për sezonin e ri, ku bëjnë pjesë emra të tillë si Zeqiri, Kuqi, Shehaj, Xhelili, Telushi apo edhe kosovarët Berisha dhe Fazliu. Me kalimin e ditëve stafi teknik dhe drejtuesit e skuadrës do të zyrtarizojnë afrimet e reja, që do të kompletojnë grupin para nisjes së fazës përgatitore në Slloveni.

 

 

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.