Flamurtari “baby” shkëlqen, Duro: Mendoj për Laçin, jo për Partizanin

0

Trajneri i vlonjatëve kishte lënë pushim gjithë titullarët, por të rinjtë triumfuan edhe në ndeshjen e dytë me cërrikasit. Në raundin tjetër kuqezinjtë gjejnë Partizanin…

Elton Nika

 

Flamurtari dominon dhe me të rinjtë në ndeshjen e kthimit për Kupën e Shqipërisë. Ekipi vlonjat e kishte siguruar kualifikimin që në ndeshjen e parë të zhvilluar në Cërrik, pas fitores së thellë 6-1. Kjo i ka dhënë mundësinë trajneri Duro të aktivizoje lojtarë të rinj, madje edhe 16-17 vjeçarë nga ekipet e moshave. Në fund u regjistruan shtatë gola, pesë nga Flamurtari dhe dy nga Turbina, ndërkohë që në fazën çerekfinale përballë kuqezinjve do jetë Partizani.

SFIDA

Ndeshja është zhvilluar në fushën sportive të Orikumit dhe nisi menjëherë nën diktatin e Flamurtarit. Pas një aksioni model, Hyseni hyn brenda zonës dhe pason saktë për Toungara, i cili pranë portës shënon golin e parë. Vetëm pak minuta më vonë, mesfushori Tushi hyn në zonë dhe pengohet. Ka penallti. Ekzekutimin e merr përsipër Liçaj, që shënon duke i çuar shifrat në 2-0. Nëse në kampionat penalltitë për vlonjatët mungojnë, duket se në Kupë gjyqtarët nuk i kursejnë, teksa në dy ndeshje kjo ishte penalltia e tretë për Flamurtarin. Në fund ka gëzim edhe për Turbinën, që me Sallakun shfrytëzon mundësinë e vetme që i jepet dhe realizon fare pranë portës. Me shifrat 2-1 mbyllet pjesa e parë. Në 45 minutat e dyta për vlonjatët në fushë janë sërish lojtarë të rinj. Fillimisht është Diamanti që shënon golin e tretë dhe më pas mesfushori Tushi shfrytëzon mjaft mirë një asist në zonë dhe realizon i qetë golin e “pokerit”. Ka vend edhe për të riun Muçollari, që në minutën e 75-të, pas një krosi nga Liçaj, gjuan saktë me kokë dhe i çoi shifrat në 5-1. Një takim i mbyllur pa nisur mirë, por për Turbinën ai që mund të gëzohet është Sallaku, që në fund të ndeshjes realizon golin e dytë personal. Mbyllet 5-2 për Flamurtarin, që tashme sheh përpara në kampionat, ndërsa në kupë llogaritë duhej t’i bëjë me Partizanin në turin çerekfinal të këtij kompeticioni.

Duro nuk mendon për Partizanin: Të mbyllim vitin mbarë!

Shpëtim Duro, trajneri i Flamurtarit, pas ndeshjes me cërrikasit deklaroi se kjo ishte një mundësi për të parë të rinjtë. Nuk mund të mos pyetej për çerekfinalen me Partizanin: “U dhamë mundësinë e aktivizimit lojtarëve të rinj, 16-17 vjeçarë. Qëllimi ynë ishte të shihnim nga afër gjendjen e tyre. E kishim siguruar kualifikimin që në ndeshjen e parë, ndaj ndeshja e kthimit kishte më shumë efekt për lojtarët e aktivizuar në ndeshje. Partizani në çerekfinale? Padyshim që tani ndeshjet vështirësohen edhe në kupën e Shqipërisë. Dihej se do të gjenim përpara kundërshtar të vështirë, por sot nuk mendojmë për Partizanin, pasi për ndeshjen e Kupës ka shumë kohë përpara. Mendojmë për ndeshjen me Laçin, që luhet të shtunën. Qëllimi mbetet takimi në kampionat përballë Laçit, por edhe ta mbyllim këtë vit me mjaft sukses në dy ndeshjet e fundit të kampionatit”.

Kupa e Shqipërisë, 1/8-at finale, kthim

Flamurtari – Turbina   5-2  

Shënues: Tungara 25’, Liçaj 32’ (pen.), Diamanti 59’, Tushi 65’, Muçollari 71’ / Sallaku 42’, 92’

Flamurtari: Sali, Deliaj, Maze, Hyseni (Seferaj 66’), Merkaj (Muçollari 66’), Diamanti, Rrapaj, Mersini (Elmazaj 46’), Liçaj, Tushi, Tungara. Trajner: Sh. Duro

Turbina: Malaj, Doka (Bakiu 65’), Ferhati, Bajrami (Cami 54’), Peqini, Sallaku, Roshi, Toktash, Agalliu (Allamani 46’), Gërxho, Doda. Trajner: S. Bardhi

Gjyqtarë: E. Demiraj, A. Kamolli, A. Mema, Granit Sulko

Kartonë të verdhë: Merkaj 45’

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image