Flamurtari, 10 milionë lekë për të mundur “macen e zezë”

0

Elton Nika

Nga java që lamë pas, drejtuesit e Flamurtarit kanë vendosur ta motivojnë sa më shumë ekipin, duke akorduar shpërblim për çdo fitore, kuptohet në shifra të ndryshme sa i takon suksesit në transfertë dhe atij në shtëpi. Fitorja në Gjirokastër vlente 20 milionë lekë shpërblim për vlonjatët, të cilët ia arritën qëllimit për të marrë 3 pikët dhe për të futur në xhepat e tyre një shumë të konsiderueshme. Për ndeshjen e radhës me Vllazninë, shpërblimi i akorduar nga drejtuesit e klubit vlonjat është 10 milionë lekë. Kjo ndeshje luhet në shtëpi, por, duke parë rëndësinë e saj në lidhje me objektivin e mbijetesës, drejtuesit e Flamurtarit, me në krye administratorin Sinan Idrizi, kanë përcaktuar këtë shumë për fitoren e mundshme ndaj shkodranëve. Në fakt, më parë është konfirmuar se shpërblime do të ketë si për fitoret jashtë, ashtu edhe ato në Vlorë, deri në fund të kampionatit. Pas fitores në Gjirokastër, ekipi vlonjat ka mundësinë të marrë një tjetër trepikësh, që vlen në kalsifikim, por edhe në anën financiare.

MACJA E ZEZË – Përgatitjet për ndeshjen e radhës janë intensive në kampin vlonjat, pasi në fushën e tyre vjen këtë javë ajo që mund të quhet me plot gojë “macja e zezë”, Vllaznia. Shkodranët i kanë marrë Flamurtarit 9 pikë në 3 ndeshjet e deritanishme. Vlonjatët kanë humbur edhe në fushën e tyre fazën e dytë, kur vendoste një gol i mbrojtësit Cicmil për fitoren e Vllaznisë. Ndeshja e fazës së parë në Shkodër përfundonte 2-0, në Vlorë fazën e dytë shkodranët fitonin 0-1 dhe fazën e tretë 3-2 në stadiumin “Loro Boriçi”. Ndeshja e fundit ishte vërtet e pabesueshme për mënyrën si shkoi loja. Flamurtari kryesonte dhe më pas pësonte dy gola nga Vllaznia, por arriti të barazonte në shtesë. Në aksionin e fundit të kohës shtesë Vllaznia shënonte golin e fitores dhe vlonjatët dilnin të humbur nga një ndeshje, ku u takonte minimalisht një pikë. Këtë fundjavë ata kanë rastin të regjistrojnë fitoren e parë për këtë sezon ndaj Vllaznisë dhe janë të detyruar ta bëjnë këtë, sepse kanë nevojë për pikë mbijetese. Vllaznia është e vetmja skuadër, që këtë sezon i ka marrë pikë të plota Flamurtarit. Edhe pse luhet në një stadium të boshatisur, nga vlonjatët kërkohet vetëm fitorja, sepse në të kundërt triumfi në Gjirokastër nuk do të kishte asnjë vlerë për Flamurtarin.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here