Fitorja është harruar, Italia barazon edhe me Ukrainën

Italia nuk ka arritur që të shkojë më shumë se një barazim 1-1 në ndeshjen e sotme miqësore me Ukrainën. Të besuarit e Mançinit kanë mundur që të marrin vetëm 1 fitore në 10 ndeshjet e fundit dhe tashmë kanë kaluar shumë muaj nga suksesi i fundit.

Takimi u luajt në Xhenoa dhe nuk mund të mungonte një nderim për 43 viktimat që humbën jetën nga rrëzimi i urës në qytetin ligur, teksa në minutën e 43-të i gjithë stadiumi është ngritur në këmbë dhe loja është ndalur në shenjë respekti.

Për “axurrët” realizoi Bernardeski me një gjuajtje nga distanca në fillim të pjesës së dytë, por avantazhi i vendasve zgjati vetëm 7 minuta, pasi ekipi i Shevçenkos barazoi falë Malinovskit.

Në fakt, në aspektin e lojës Italia ishte superiore dhe pati periudha ku dominoi, duke e goditur 7 herë kuadratin në total, por gjetja e golit ishte mision tepër i vështirë.

Italianët kanë një ndeshje shumë të vështirë me Poloninë më 14 tetor, takim ky i vlefshëm për Ligën e Kombeve. Italia ka vetëm një pikë pas 2 ndeshjeve dhe një tjetër hap i gabuar do të ishte fatal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *