Fitorja e Shtutgartit kthehet në dramë, vdes në stadium babai i kapitenit

Shtutgarti arriti një fitore tepër të rëndësishme në shtëpi përballë Hertës së Berlinit. Dygolëshi i Mario Gomez, i cili nuk shënonte që nga fillimi i tetorit, dërgoi ekipin jashtë zonës së rrezikut për momentin dhe tifozët në festë.

Megjithatë, festa është kthyer në dramë. Një lajm i rëndë ka befasuar ekipin dhe sidomos Kristian Gentner. Babai i kapitenit 33-vjeçar, Herbert Gentner, ka humbur jetën si pasojë e një infarkti. Ai ka qenë i pranishëm në stadium, por zemra e tij nuk ka duruar më.

Lajmi është dhënë nga klubi i Shtutgartit, që ka komentuar shkurt ngjarjen e dhimbshme: “Pas përfundimit të ndeshjes me Hertën, kemi humbur Herbert Gentner. Klubi ndodhet pranë familjes në këto momente të vështira.”

Lojtari ishte lajmëruar për problemet e shfaqura nga i ati, një mjek shkoi në tribunën VIP për ta shpëtuar, por pa ia dalë dot mbanë. Lojtarët e Shtutgartit u larguan pas ndeshjes pa dhënë asnjë deklaratë dhe trishtimi në fytyrat e tyre dallohej lehtësisht. Duhej të ishte një e shtunë festive, por u kthye në një moment dhimbje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *