Fitore historike për Raikonen në SHBA, shtyhet festa e Hemilton

Çmimi i Madh i Shteteve të Bashkuara, u shoqërua me një surprizë të bukur. Kimi Raikonen ishte fitues në cirkuitin e Ostin, duke marrë kryesimin prej startit të garës dhe kaloi i pari në finish. Ky ishte triumfi i parë në pesë vjet për pilotin finlandez të Ferrarit.

Raikonen nuk hipte në shkallën më të lartë të podiumit prej Çmimit të Madh së Australisë në vitin 2013. Në total, ishin plotë 113 gara pritje për “Njeriun e Akullt”. Ky ishte gjithashtu edhe suksesi i tij i parë me makinën Ferrari prej vitit 2009 në Belgjikë.

Me fitoren numër 21 në karrierë, Raikonen vendosi edhe një primat, duke u bërë piloti finlandez që ka fituar më tepër në Formula 1, duke kaluar legjendën Mika Hakinen. Vendimtare ishte strategjia me një “pit-stop” e përdorur, ndërsa në vendin e dytë u klasifikua Vershtapen, që u nis i 18-ti, por ishte protagonist i një gare të madhe, duke rikuperuar pozicion pas pozicioni.

Vetëm i treti Ljuis Hemilton, me britanikun që e mbylli garën përpara ferraristit tjetër, Sebastian Fetel. Ky klasifikim në pistën e Teksasit bëri që të shtyhej festa e titullit kampion për pilotin e Mercedes, të cili tashmë do ti duhet të presë deri në garën e ardhshme në Meksikë për të festuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *