Fitore e bukur, por Duka u shkul veshin kuqezinjve

Rikthimi në shtëpi pas një suksesi dhe tri golash të shënuar, edhe pse në një miqësore, është gjithmonë më i ëmbël, edhe pse sigurisht që mungesa e Italisë në botërorin “Rusi 2018” është një humbje e madhe edhe për atë që është simpatizant i axurrëve. Po flasim për kreun e FSHF-së (Federatës Shqiptare të Futbollit). Menjëherë pas rikthimit në tokën shqiptare pak orë pas suksesit 3-2 në Antalia ndaj Turqisë, numri “1” i futbollit në vend ka folur për fitoren, por edhe u ka tërhequr veshin kuqezinjve.

“Jam i kënaqur me rezultatin e ekipit dhe me përgatitjen që i bënë ndeshjes dhe atë çfarë dhanë në fushë. Në një ndeshje miqësore është i rëndësishëm eksperimenti teknik dhe nëse merr një fitore, është një kënaqësi më shumë. Duhet të nxjerrim mësime nga gjërat që bëmë keq, për t’i korrigjuar në të ardhmen. Edhe kjo ndeshje nuk ka pasur pak gabime, por shpresojmë të mos i përsërisim më. Nuk duhet të bëjmë gabime amatoreske”, tha kreu i FSHF-së për “Top Channel”.

Euro 2020 – Tashmë Kombëtarja e kthen vështrimin nga ndeshjet zyrtare, për një biletë europiane dhe Duka beson se ky grup ka mundësi reale për të na dhuruar një tjetër ëndërr. “Europiani 2020? Kam shumë besim te skuadra. Ka të gjitha mundësitë për të fituar çdo ndeshje, por s’mund të themi që jemi një skuadër e madhe, që mund të marrim 3 pikët në çdo takim. Me një short të mirë, i kemi të gjitha mundësitë për të arritur në Europianin e 2020-ës”, u shpreh Armando Duka.

Panuçi – Diçka edhe për trajnerin, duke qenë se është bast i tij dhe se deri tani po bind skeptikët me lojë, rezultat dhe paraqitje individuale të disa elementëve. Edhe pse Duka kërkon ende më shumë: “Rruga është shumë e gjatë dhe ne kemi objektivat tona për 2020-ën, por nëse do të kualifikohemi, do të falënderojmë Panuçin dhe të tjerët. Kemi eksperienca pozitive, kur ekipi rri më shumë bashkë. Në shtator do të presim shortin”, përfundoi Duka.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *