Fitore dhe rekord, Imobile pa frena: Gati për Interin, duam hakmarrje

Lacio arriti një fitore të madhe kundër Marsejës në Francë me rezultatin 1-3 dhe tashmë është ngjitur në vendin e dytë në grupin e Europa League në kuotën e gjashtë pikëve, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit më tej. Uollas, Kaisedo dhe Marushiç ishin autorët e golave, ndërsa Çiro Imobile zhvilloi ndeshjen e 100 me bluzën bardhekaltër.

Një emocion për sulmuesin 28-vjeçar dhe ku ka më bukur kur rekordi festohet me fitore. Lojtari ka folur për “Lazio Style Radio”, ku shpreh lumturinë e tij. Ndeshja e radhës është kundër Interit në “Olimpico” dhe për djemtë e Inzagit kjo është një ndeshje tepër e veçantë.

Lacio pësoi një humbje të pabesueshme kundër Interit në javën e fundit të sezonit të kaluar. Atyre iu mjaftonte vetëm një pikë për t’u kualifikuar në Champions, por Ikardi dhe Vesino rikthyen rezultatin në minutat e fundit dhe në Champions shkuan zikaltrit. Imobile kërkon hakmarrje dhe mezi po pret sfidën e së dielës në mbrëmje.

Arritëm një fitore të bukur kundër Marsejës dhe nuk ishte e thjeshtë të bënim këtë performancë. Luajtëm një ndeshje të madhe dhe arritëm tre pikë të rëndësishme për renditjen e grupit. Jam krenar për 100 ndeshjet me Lacion, goli do të ishte qershia mbi tortë, por jam i kënaqur me atë që po bëj. Lacio është familja ime dhe ndihem si në shtëpi. Tani duhet të fillojmë të mendojmë menjëherë për Interin. Duam të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të hakmerremi për sezonin e kaluar. Jemi të karikuar, kjo fitore na jep moral për t’u përballur me zikaltrit”, përfundon Çiro Imobile.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *