Fiorentina i ndaloi, trajneri Sarri me polemika: Ndryshe të luash në 15:00, ndryshe në 20:45

Juventusi ka marrë ndaljen e parë në kampionatin italian, duke barazuar pa gola ndaj Fiorentinës. Një ndeshje ku “vjollcët” kanë pasur shumë raste për të gjetur golin, por duke dalë vetëm me një pikë në fund.

Më shumë sesa rezultati, ajo që zhgënjeu disi më tepër tifozët bardhezinjë ishte loja e vakët e skuadrës. Në lidhje me këtë, trajneri Sarri ka pasur polemika për mënyrën sesi është organizuar ndeshja, duke e lënë në një orar dreke.

“Ne nuk bëmë një ndeshje në nivel të lartë teknikisht. Fiorentina ishte më mirë se ne. Duhet të rritemi ende në mënyrën taktike. Ndërkohë që ne luajtëm në orën 15:00, të luash në orën 20:45 ka një ndryshim shumë të madh. Kështu është shumë e vështirë dhe ne nuk ishim në gjendje të bënim driblimet”, ka thënë Sarri. /Sport Ekspres/