Fino del hapur, të enjten shpall kandidaturën për president federate

Është Bashkim Fino rivali i vetëm i Armand Dukës në garën për kreun e FSHF-së në zgjedhjet e muajit shkurt. Deputeti i Partisë Socialiste do të jetë të enjten në mbrëmje i pranishëm në “Rubrika Sportive” në RTSH për të dhënë lajmin e kandidimit dhe ndoshta për të shpalosur platformën.

Deri tani Fino është përfolur si kandidat, por vetë nuk ka dhënë ndonjëherë sinjal se do të jetë ai rivali i Dukës. Për Finon është detyrim largimi nga politika, në këtë rast, që do të thotë heqje dorë nga mandati i deputetit.

Duke njohur lidhjet e tij të ngushta me drejtuesit e Partizanit, është e qartë që e gjitha është një lëvizje për të rrëzuar Dukën, ndërkohë që duhet parë nëse do të ketë realisht ndonjë platformë dhe çfarë premtimesh do të bëjë Fino për futbollin shqiptar, që realisht ka përparuar shumë, edhe pse natyrisht kemi ende shumë punë për të bërë, për të qenë në lartësinë e vendeve të përparuara në Europë. Gjithsesi, disa nga problemet madhore të futbollit tonë, duke nisur nga infrastruktura, zor se mund t’i zgjidhë ndokush, sepse është e qartë që në dekadat e fundit është bërë gjithçka për të shkatërruar sportin dhe vetëm ndonjë revolucion total nga gjithë shteti do të ndryshonte diçka, por e dimë shumë mirë sa e vrasin mendjen për sportin qeveritarët tanë, të të gjitha partive e qeverive në demokraci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *