Finalja e titullit, në dorë të Jorgjit?

0

Anton Cicani

Kur kanë mbetur edhe 180 minutat e fundit të një kampionati “të çmendur”, mes emocioneve, golave, rekordeve, sulmeve prodhuese, lojtarëve të dalluar, tre skuadrave që luftojnë për titullin dhe gjashtë të tjerave që “enden” mes garës për Europën dhe mbijetesën, duke lënë jashtë vetëm Korabin, që ka prerë biletën për Kategorinë e Parë prej disa javësh. Dhe, në të gjithë këtë panoramë, që ka mbajtur pezull të gjithë tifozët, nuk mund të mos përfshihen gafat e arbitrave, që kanë ndikuar jo pak në zhvillimin e drejtë të garës. Polemikat janë ngritur që në fillim të sezonit, por kurrë si këto pesë javët e fundit nuk janë amplifikuar. Deklaratat e trajnerëve, drejtuesve dhe deri presidentëve të skuadrave kanë ndikuar jo pak për të bërë edhe më të hidhur “çorbën” që është servirur… Madje, mungesa e besimit shkoi deri tek arbitri i huaj i zgjedhur për sfidën Partizani-Kukësi. I ardhur nga Sllovenia, por që në fund rezultoi gjithashtu të mbulohej me akuza dhe të largohej me “notë jo plotësisht kaluese”… Të paktën në sytë e Partizanit. Por, duke iu kthyer garës për titull, që tashmë ka më shumë peshë se sa Europa dhe mbijetesa, finalja e radhës do të luhet në “Zeqir Ymeri”, në 90’ që do të vendosin shumë. Një ndeshje delikate, ku edhe gabimi më i vogël do të shihej me lupën më të madhe dhe do të shërbente për të shkatërruar edhe më tej sistemin e arbitrave.

Shqetësimi – Sigurisht, gabimet e javëve të fundit nga shumë arbitra në shumë ndeshje kanë sjellë jo pak shqetësim në sektorin e gjykimit dhe te drejtuesit e federatës, që sigurisht tashmë do të përpiqen të zgjedhin më të mirën për këto dy javët e fundit. Dënimet, që në këtë fazë të katërt të kampionatit janë aplikuar në masë, kanë bërë që klasa e xhaketave të zeza të jetë e tkurrur.

Non grata – Kërkesa për arbitër të huaj është ndalur me Partizani-Kukësi… Pas asaj ndeshje, federata ka vendosur që të mos abuzohet dhe të mos ndërkombëtarizohet klasa arbitrare, që do të humbiste kështu gjithë besimin dhe që do të kthehej në një “boomerang” të rrezikshëm për sezonin tjetër. Pikërisht për këtë arsye, Skënderbeut do t’i mohohet kërkesa për të zgjedhur një gjyqtar të huaj, ashtu sikurse dhe shumë skuadrave të tjera që e kanë kërkuar, në garën për mbijetesë.

Mohikani i fundit – Por, cili do të drejtojë sfidën e sezonit në “Zeqir Ymeri”, ku pritet një atmosferë mjaft e nxehtë? Burime të sigurta pranë gazetës flasin për “të fundit të Mohikanëve”… Bëhet fjalë për 32-vjeçarin nga Elbasani, Enea Jorgji, i cili ka mbetur i vetëm në këtë “luftë” akuzash, polemikash dhe sulmesh të drejtpërdrejta ndaj klasës arbitrave. E megjithatë, këtë sezon, edhe Enea Jorgji e ka pësuar si miqtë e tij… Në fakt, pas ndeshjes së mbajtur në Gjirokastër, më 16 prill, mes Luftëtarit dhe Flamurtarit, penalltia e dhënë në favor të ekipit vlonjat, që i dha fitoren 1-2, u kontesua nga bluzinjtë dhe menjëherë Jorgji “u degdis” në Maltë… Sigurisht, aty duhet të shkonte Lorenc Jemini, por ky i fundit ishte pezulluar për vete si “non grata”. Atëherë, u dërgua Jorgji, që gjithashtu kundër tij pati kontestime jo pak në sfidën Teuta-Kukësi në “Niko Dovana”, e luajtur vitin e shkuar, në fazën e dytë të kampionatit. “Të shkuara, të harruara”, siç thotë populli.

Ndeshjet e Jorgjit me Kukësin
Tirana-Kukësi               1-2
Flamurtari-Kukësi        1-1
Kukësi-Luftëtari           3-2
Kukësi-Partizani          1-0
Kukësi-Laçi                   2-0
Teuta-Kukësi                1-2

Ndeshjet e Jorgjit me Skënderbeun
Tirana-Skënderbeu       2-2
Tirana-Skënderbeu       2-1
Partizani-Skënderbeu  0-0
Skënderbeu-Tirana       2-0
Vllaznia-Skënderbeu    0-0

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image