Finale në Kukës, por ka kombinime që futin në lojë edhe Partizanin

0

Partizani jashtë gare për titull, Kukësi-Skënderbeu vendos gjithçka pas një jave: kjo është ideja që është përforcuar ndjeshëm pas ndeshjeve të djeshme, ku erdhën fitoret e pritshme të dy kryesuesve, ndërsa të kuqtë u ndalën në Vlorë. Por, a është vërtet ky skenari i vetëm i titullit? Në fakt, jo. Ja më poshtë kombinimet e mundshme, nga të cilat gjithçka mund të mbyllet në Kukës, por edhe mund të shkojë deri në fund me Partizanin ende në garë…

KUKËSI KAMPION – Një fitore kundër Skënderbeut është gjithçka i duhet Kukësit për të festuar para kohe titullin e ëndërruar. Nuk ka më matematikë, nuk është më Partizani vërdallë, ndaj verilindorët e kanë të qartë, 3 pikë dhe festë. Në të kundërt, barazimi është detyrim, për të ruajtur kreun dhe për të shkuar më pas për fitore në Gjirokastër. Nuk është një kombinim fort i pëlqyer, sepse është rrezik ta diskutosh titullin në Gjirokastër, ku duan patjetër vendin e katërt. Një barazim ndaj Skënderbeut dhe një i tillë edhe ndaj Luftëtarit e nxjerr Kukësin kampion vetëm nëse nuk fiton Skënderbeu me Partizanin. Po humbja ndaj Skënderbeut? Atëherë Kukësi e fiton titullin vetëm duke fituar në Gjirokastër, por me kusht që partizani të fitojë në Korçë. Barazimi në Korçë në fund fut në lojë llogari të tjera, sepse Kukësi e ka mposhtur 2-0 Skënderbeun në njërin takim direkt, ndaj i duhet të humbasë me jo më shumë se një gol në shtëpi javën e ardhshme.

SKËNDERBEU KAMPION – Alternativa më e mundshme për të fituar titullin dihet: fitore në Kukës dhe fitore ndaj Partizanit. Kombinime të tjera? Po, ka disa. Së pari, barazimi në Kukës dhe fitorja ndaj Partizanit, shoqëruar me ndalesën e Kukësit në Gjirokastër. Po nëse kampionët fitojnë në Kukës dhe barazojnë ndeshjen e fundit? Atëherë futen në lojë përballjet direkte: në këtë moment Kukësi ka golaverazh +2 në përballjet me Skënderbeun, ndaj korçarët duhet të fitojnë me 2 gola diferencë në Kukës, 3-1 e lart. Po alternativa më ekstreme? Skënderbeu fiton në Kukës e humbet ndaj Partizanit, ndërsa Kukësi ndalet edhe në Gjirokastër. Ai do të ishte titulli më absurd!

PARTIZANI KAMPION – Të kuqtë janë dorëzuar realisht, por një mundësi ekziston ende. Shans i vogël, shumë i vogël, por ekziston. Partizani fiton dy ndeshjet e radhës dhe shkon 74 pikë, Skënderbeu fiton 3-1 e lart në Kukës dhe Kukësi nuk fiton në Gjirokastër. Edhe një kombinim tjetër: Partizani fiton dy ndeshjet e mbetura, barazim në Kukës javën e ardhshme dhe Kukësi humbet në Gjirokastër në fund.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here