Filo: Fituam çështjen e parë, Skënderbeu është i të gjithëve

Kryebashkiaku i Korçës thekson se vendimi i fundit është një hap i rëndësishëm për të ardhmen dhe për të pastruar përfundimisht çështjen e trukimeve

Të gjithë janë gëzuar pa masë në qytetin juglindor, atmosfera në radhët e tifozëve ka qenë shumë e bukur dhe dukej sikur ishte fituar diçka shumë e madhe. Drejtësia u vu në vend për ekipin e futbollit dhe nuk mund të mungonte reagimi i kryebashkiakut të Korçës, Sotiraq Filos. Sipas tij, ishte fitorja e parë, por më e rëndësishme është ajo fitore që të gjithë mezi e presin, atë ndaj UEFA-s dhe vendimit të saj për ta dënuar skuadrën bardhekuqe me 10 vjet jashtë Kupave të Europës. Filo ka theksuar dje se Skënderbeu nuk është vetëm i Korçës, por i të gjithëve. I pari i qytetit ka qenë shumë aktiv vitin e fundit, duke mos munguar në asnjë ndeshje të Skënderbeut, madje në çështjen e dënimit nga UEFA i ka dërguar një letër enkas presidentit Aleksandër Ceferin, ku i rendiste arsyet pse ekipi korçar nuk duhet dënuar.

DEKLARATA – Ja dhe deklarata e djeshme e kryebashkiakut të Korçës, Sotiraq Filo: “Pushimi i çështjes nga ana e Prokurorisë së Tiranës dhe vendimi i CAS-it janë dy lajme shumë të gëzueshme jo vetëm për mua, por edhe për të gjithë opinionin sportiv dhe futbolldashës korçar. Kjo pasi komuniteti që mbështet Skënderbeun del përtej kufijve të qytetit dhe të Bashkisë së Korçës. Besoj se jemi në rrugën e duhur që kjo çështje e shumëpërfolur e trukimeve të marrë zgjidhje dhe ekipi të pastrohet dhe të vazhdojmë në të tilla nivele, ashtu siç kemi bërë në vitet e fundit në rrugën europiane, duke bërë krenar të gjithë shqiptarinë. Jam shumë i bindur që ky vendim i sotëm (djeshëm) do të jetë një hap shumë i rëndësishëm përpara, në zgjidhjen dhe sqarimin e të gjithë kësaj çështjeje. Jam shumë i bindur, që në përfundim të shqyrtimit të çështjes tjetër do të kemi një vendim pozitiv për ekipin e Skënderbeut.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *