Filip Lam thotë “stop”, tërhiqet në verë

0

Nuk ka fituar kurrë ndonjë çmim individual, as brenda Gjermanisë, jo më të garojë për Topin e Artë, por Filip Lam është një nga mbrojtësit më të mëdhenj në dekadat e fundit dhe lajmi i sotëm me siguri ka befasuar dhe trishtuar gjithë tifozët, jo vetëm ata të Bajernt: Kapiteni ka lajmëruar se do të tërhiqet nga futbolli në fund të sezonit.

Vetëm 33 vjeç, Lam ka edhe një vit kontratë me kampionët e Gjermanisë dhe më parë kishte lajmëruar se do të luante deri në mbyllje të kontratës, por tani kampioni i botës ka vendosur ta mbyllë para kohe, një vendim i formës së prerë, komunikuar klubit pas fitores së djeshme nfaj Volfsburgut, ndeshja numër 501 në karrierë me fanellën e klubit bavarez.

“I kam thënë klubit që do të tërhiqem në fund të sezonit. Do të vazhdoj të jap maksimumin çdo ditë, duke bërë rolin e liderit si më takon, por në fund të sezonit do të ndalem”, deklaron Lam për revistën gjermane “Kicker”.

Së fundi Bajerni i ka bërë një ofertë për të marrë vendin e Matias Zamerit si drejtor sportiv, pas largimit të këtij të fundit që në korrik të vitit të shkuar, por Lam ka refuzuar: “Kemi pasur bisedime, por kam vendosur që nuk është momenti më i mirë për mua”.

Lam ka fituar Kupën e Botës si kapiten me Gjermaninë, si dhe 7 tituj kampionë në Bundesligë, 6 Kupa Gjermanie, Ligën e Kampioneve dhe Botërorin e Klubeve.

Një mbrojtës i aftë të luajë në të dy krahët, Lam ka treguar se me inteligjencën e tij mund të luajë kudo, aq sa Pep Guardiola pati idenë gjeniale ta përdorte edhe si mesfushor qendre, rol që Lam e kreu shumë mirë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here