“Fiksimi” i Pakultit, dhomat e zhveshjes janë “të shenjta”

Tekniku nuk ka dëshirë që dikush veç lojtarëve të tij dhe stafit teknik të jetë prezent në dhomat e zhveshjes, Gjici respekton rregullat  

Jurgen Zela

I kanë mjaftuar pak ditë në Shqipëri për të kuptuar se si funksionojnë gjërat këtu. Që nga nisja për të mësuar gjuhën, për të kuptuar zakonet apo dhe “të këqijat” që ka këtu, timonieri i ri i kuksianëve kërkon të dijë sa më shumë, për të parë nëse duhet të përshtate apo duhet të sjellë ai nga vetja, për të bërë më mirë. Gjithsesi, edhe pse preferon të mësojë sa më shumë për vendin tonë, gjërat dhe jashtë futbollit, ai mban filozofinë e tij, dukje pasur korrektësinë si një orë zvicerane, pasi në konferenca nuk vonohet asnjë minutë, por dhe nga të tjerët kërkon korrektësi maksimale. Austriaku është sa serioz në stërvitje aq dhe miqësor pas saj apo dhe para konferencave për shtyp ku nuk nguron që të shkëmbejë ndonjë batutë. Ndër të tjera, gazeta zbulon dhe një merak apo kusht nëse mund ta quajmë të 58-vjeçarit.

DHOMAT E ZHVESHJES

Skuadrën e ka “fituar” mjaft shpejt dhe ka raporte shumë të mira me të gjithë futbollistët, ose së paku me ata që kanë treguar vetë se trajneri i kupton mjaft mirë. Ndër shumë rregulla që ka vënë një nga meraket më të mëdha që trajneri ka janë dhomat e zhveshjes. Ai i konsideron si një nga ambientet më private për të dhe të besuarit e tij. Timonieri i ksuadrës e ka si kusht që në dhoma te zhveshjes të mos futet askush si gjatë seancave stërvitore dhe sidomos gjatë ndeshjeve, veç lojtarëve stafit teknik dhe stafit mjekësor. Në këtë rregull nuk bën përjashtim as numri 1 i klubit, presidenti Safet Gjici, i cili në tre ndeshjet e fundit në Kukës, nuk ka qenë as para dhe as në mes të ndeshjes, për të takuar skuadrën e tij. Pas ndeshjes me Kamzën ai është dukur, për t’i kritikuar të tijtë, por pas përfundimit të ndeshjes. Një rregull që Pakult kërkon që t’ia zbatojnë të gjithë me shumë rigorozitet, ose në të kundërt ai do të shohë pozitën e tij.

TELEFONI

Jo vetëm kaq po një merak tjetër është dhe përdorimi i telefonit. E ka mjaft “bezdi” që në dhomat e zhveshjes futbollistët të përdorin aparatet e tyre celular. Kjo mund të jetë një masë paraprake nga ana e tij, pasi ka mësuar se ka raste që ajo çfarë diskutohet aty del dhe jashtë asaj dhome. Rregulla që Pakult i ka me shumë merak dhe deri tani nuk po ja thyen njeri. Një stil i ri te Kukësi, që Pakult po e aplikon. Mbetet për t’u parë se sa frytdhënëse do të jetë deri në fund. E sigurt është që ai e ka mjaft bezdi nëse dikush ndërhyn mes tij dhe skuadrës, me të cilën ka krijuar një raport që konsiderohet dhe nga lojtarët si mjaft familjar. Tani për tani po respektohet dhe nga drejtuesit më të lartë të Kukësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *