“Fiket” shitja e “Wembley”, çdo gjë ndryshon së fundmi

Kohët e fundit është përfolur shumë shitja e stadiumit “Wembley”, pasi miliarderi Shahid Khan bëri një ofertë prej 600 milionë sterlina. Çdo gjë dukej se po shkonte drejt konkretizimit, por gjërat kanë marrë krejtësisht një rrjedhë tjetër, teksa Shahid Khan ka tërhequr ofertën e tij.

Presidenti aktual i Fulhem e justifikon tërheqjen e ofertës me faktin se po shihte një mungesë mbështetjeje për të nga ana e federatës angleze. Miliarderi me origjinë pakistaneze ka lëshuar një deklaratë zyrtare, duke sqaruar vendimin e tij për të tërhequr ofertën.

“Qëllimi i përpjekjeve të mia ishte dhe është që në ndeshjet në Angli njerëzit të bashkohen dhe jo të ndahen. Për fat të keq, duke pasur parasysh se ku jemi sot, kam arritur në konkluzionin se mbështetja në lidhje me blerjen e stadiumit nuk është e mjaftueshme. Deri në një kohë kur është evidente se ka një direktivë të gabuar nga ana e federatës angleze për të mbyllur një shitje, unë me respekt jam duke tërhequr ofertën time për të blerë stadiumin “Wembley”.”

Në lidhje me këtë deklaratë reagoi dhe shefi ekzekutiv i federatës angleze, Martin Glen. Ky i fundit tha se e respekton vendimin e marrë nga Khan.

“Z.Khan besonte se oferta e tij për të blerë stadiumin “Wembley” do të lëshonte fonde për të ndihmuar në përmirësimin e objekteve të futbollit në Angli dhe se do të mirëpritej nga të gjithë aktorët e futbollit. Në takimin e fundit me Z.Khan, ai na shprehu se, pa pasur mbështetje më të fortë nuk mund të finalizojë blerjen e stadiumit, prandaj ka vendosur të tërheqë propozimin e tij.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *