Festimi pas golit dhe dënimi, UEFA reagon për herë të parë: Nuk e kemi parë, por do e shqyrtojmë!

Gjesti dhe festa që ka bërë Turqia pas golit ndaj Shqipërisë, duke përshëndetur ushtarët dhe duke mbështetur luftën e nisur nga shteti i tyre me kurdët në Siri, ka marrë polemika të mëdha. Sidomos në Itali, një vend që është tërësisht kundër kësaj lufte, por që njëkohësisht ka edhe shumë lojtarë që janë pjesë e futbollit të tyre dhe që i janë bashkangjitur festës kundër Shqipërisë.

Të gjithë janë duke parë me vëmendje dënimin që mund t’i vijë nga UEFA. “Sport Ekspres” publikon edhe reagimin e një prej zyrtarëve të shtypit të UEFA-s, Philip Townsend, që ka bërë reagimin e parë në lidhje me këtë festim.

“Personalisht nuk e kam parë këtë gjest, i cili mund të duket si provokim. A përcakton rregullorja referenca politike dhe fetare? Po, unë mund të garantoj se do ta marrim në shqyrtim situatën. Më lejoni që ta kontrolloj”, ka thënë kreu i zyrës së shtypit të UEFA-s, Philip Townsend, megjithëse rasti në fjalë ka marrë pafundësisht shpërndarje në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, mediat në Angli janë të sigurt se Turqia do të ketë një dënim shembullor, por me gjobë. Madje duke e krahasuar edhe me simbolin e Botërorit të Rusisë, atje ku Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri paguan një dënim financiar pasi bën shqiponjën. /Sport Ekspres/