Festë, para dhe transfertë në Kuçovë për Tiranën, të huajt ikin që nesër

Të mërkurën skuadra është argëtuar në një festë, ku janë ndarë edhe disa çmime, ndërsa dje pas stërvitjes skuadra udhëtoi drejt Kuçovës

Olsi Avdiaj
Festë dhe para për Tiranën e 2017-ës! Pas muajsh vuajtje, klubi Tirana është zgjuar. Presidenca ka organizuar pardje në mbrëmje një festë bardheblu për të gjithë skuadrën, stafin teknik dhe atë drejtues. Ne restorant “Struga”, në një ambient të ngrohtë bardheblu, Tirana ka festuar në prag të festave të fundvitit. Vendi i parë në renditje është i salduar dhe vetëm pritet mbyllja e sezonit për tu ringjitur në elitë e Kategorisë Superiore. Festa ka qenë e jashtëzakonshme ku të gjithë kanë qenë të pranishëm. Jo vetëm kaq, por në të tilla rastesh edhe paratë hidhen lumë. Dhe presidenti Refik Halili, siç duket edhe në foto, në një moment nuk i ka shpëtuar dot zakonit të tij të vjetër dhe kur Albi Doka po kërcente, i ka hedhur para. Diçka krejtësisht normale për një “tirons”, veçanërisht për presidentin e Tiranës. Gjatë festës pati dhurata për të gjithë të pranishmit, dy çmime speciale dhe shumë argëtim në këtë mbrëmje festive. Dorian Kërçiku ishte një nga ata që mori çmim.

Presidenti Refik Halili ka kërkuar nga skuadra një 2018-të të jashtëzakonshme, duke lënë pas një vit të zi që e pa ekipin një kategori më poshtë. Ai u premtoi lojtarëve se një vit i madh do të jetë 2018-ta. Halili shprehu qartë se kërkon të ndërtojë një ekip special për sezonin pas Kategorisë së Parë.

Hoxhallari

Të gjithë janë në ankth te Tirana nëse ndoshta lojtari më i mirë i këtij klubi do të rinovojë kontratën. Bëhet fjalë për Erion Hoxhallarin. Mësohet se futbollisti ka vendosur të mos rinovojë kontratën, e cila mbyllet në fund të sezonit. Sipas EDS.com, lojtari ka refuzuar ofertën e bardhebluve për të rinovuar kontratën. Siç duket, Hoxhallari, në janar apo në maj do të veshë fanellën e një skuadre të re. Thua të jetë e vërtetë? Të shohim!

Ndërkaq i njëjti burim ka zbuluar se përse Tirana do të luajë të premten, 24 orë para skuadrave të tjera të Kategorisë së Parë. Mësohet se trajneri Ze Maria dhe lojtarët e huaj kanë kërkuar nga një ditë më shumë kohë për të udhëtuar në shtëpitë e tyre. Po kështu Ze Marias i prishej plani i udhëtimit dhe në këto kushte, FSHF-së i është kërkuar që sfida me Naftëtarin të luhej të premten. FSHF ka pranuar dhe sot në orën 13:00 Naftëtari dhe Tirana përballen për ndeshjen e fundit të Kategorisë së Parë për vitin 2017-të.

Ze Maria nuk ndryshon skuadrën

Mund të paguhet aktivizimi i Hoxhallarit, ndonëse zëvendësues skuadra ka për momentin

Tirana përballet sot me Naftëtarin në një ndeshje ku vendësit nuk kanë pretendime të mëdha. Mësohet se trajneri Ze Maria pritet të kthejë titullarët që munguan ndeshjen e kaluar për takimin e sotëm. Në portë do të jetë i zakonshmi Ilion Lika edhe pse mund të ketë zemërgjerësi për Abibin. Në mbrojtje, Kërçiku, Turtulli, Uellison e Çelhaka. Në mesfushë Doka Daja, Karabeci, Mauexhe e Sentamu. Ndërkohë, që në sulm pritet të luajë njëri prej dy sulmuesve Greca, ose Ngo. Gjithsesi, meqenëse Doka ka kaluar një gjendje temperature, mund të ndodhë që braziliani ta lërë jashtë formacionit dhe në vend të tij të luajë Greca me Ngonë në sulm.

Formacioni i mundshëm
Lika – Kërçiku, Turtulli, Uellison, Çelhaka –  Doka(Greca), Daja, Karabeci, Mauexhe, Sentamu –  Ngo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *