Festë në Shqipëri dhe Kroaci, rikthehet ylli kuqezi

Në muajin maj mbylli përpara kohe sezonin, për shkak të dëmtimit në ligamentet e kaviljes, që agravoi deri në pikën sa nuk e lejonte të luante. Tashmë pas tre muajve pushim absolut, Eros Grezda është rikuperuar plotësisht dhe ka nisur stërvitjen në fushë.

Pas periudhës së rehabilitimit, ylli i përfaqësueses kuqezi po punon i diferencuar, për të rifituar sigurinë në kaviljen e dëmtuar dhe për të gjetur formën më të mirë fizike. Rikthimi i 23-vjeccarit është pritur mjaft mirë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kroaci.

Te Osijeku janë entuziastë për rikuperimin e sulmuesit të talentuar, duke shkruar në faqen zyrtare të klubit: “U kthye… u kthye…”. Një lajm i mirë për Osijekun, por mbi të gjithë për Kombëtaren shqiptare, në prag të turneut më të ri të UEFA-s, Liga e Kombeve.

Grezda ka afro një muaj në dispozicion që të bëhet gati për debutimin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve, më 7 shtator në “Elbasan Arena” kundër Izraelit. Rikthimi i djaloshit të talentuar nga Gjakova do të ishte një plus për skuadrën kuqezi, pas konfirmimit të lajmit për dëmtimin e rëndë të Armando Sadikut, i cili do të qëndrojë deri në gjashtë muaj larg fushave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *