Festë iraniane, Maroku mund vetveten

Një autogol në minutën e 95-të nga Buhaduz i ka dhënë fitoren Iranit të drejtuar nga Karlos Keiroz, në një ndeshje kaotike dhe me pak raste për shënim. Me siguri pas ndeshjes të dyja palët do jenë të tronditura: Maroku si humbi një ndeshje ku po kontrollonte pa probleme lojën, Irani si fitoi pa shpresuar realisht dhe pa e goditur asnjëherë portën kundërshtare në pjesën e dytë.

Irani triumfoi 1-0 falë një autogoli, nga një sulmues maroken i futur në fund, por që shënoi në portën e vet.

Maroku ishte favorit dhe e nisi mjaft mirë ndeshjen, por me kalimin e minutave Irani fitoi besim në vetvete dhe dukej qartë që Maroku nuk ka sulmues goli.

Në fund të pjesës së parë Irani humbi një rast ideal dhe në kundërsulm rrezikonte gjithnjë, ndërsa Maroku nuk ndryshoi marsh asnjëherë.

Në fund, kur dukej se do mbyllej pa gola, Maroku shënoi, por në portën e gabuar.

MAROK – IRAN    0-1

Shënues: Buhaduz 90’+5

90+5 GOL IRANI! Buhaduz shënon në portën e vet. I pafat sulmuesi i Marokut, i futur në pjesën e dytë!

79′ Një ndër lojtarët më të talentuar në fushë, Hakim Zijeç, i shkon pranë golit për Marokun, me një gjuajtje të fortë që devijohet në këndore nga portieri iranian Beiranvand, mjaft i saktë.

68′ Pak futboll dhe ritëm i ulët në pjesën e dytë. Tek Irani del kapiteni Shoxhaei dhe zëvendësimi vonon mbi 1 minutë!

55′ Ritmi nuk ndryshon, tabloja e njëjta: Maroku ushtron presion pa ndonjë rast për gol, ndërsa Irani mundohet të godasë në kundërsulm.

PUSHIM I NDESHJES

Me vuvuzelat që krijuan një atmosferë shurdhuese, realisht Maroku e Irani nuk bënë shumë për të justifikuar atmosferën. Maroku kërkoi të sulmonte gjatë gjithë pjesës së parë dhe ishte superior, por në sulm nuk gjeti hapësira dhe Irani pak nga pak fitoi besim në vetvete. Në fundin e pjesës së parë pikërisht Irani pati shansin e ndeshjes, por Azmun nuk arriti të shënonte.

43′ Pas shumë minutash pa raste e me sulme sterile të Marokut, Irani rrëmben një top në mesfushë dhe krijon n jë rast të shkëlqyer, sepse Azmun del i vetëm me portierin, por El Kazhui është fantastik, me dy pritje të njëpasnjëshme. Irani humbet rastin e ndeshjes, që deri tani është dominuar nga Maroku.

20′ Maroku në sulm, por kjo do të thotë hapësira për kundërsulmin iranian. Ansarifard zbret rrezikshëm, por gjuajtja e tij diagonale është e dobët dhe largon mbrojtja marokene.

18′ Rritet presioni i Marokut. Belhanda e Benatia provojnë dy herë rresht, Irani shpëton me fat.

5′ Maroku jep sinjalet e para. Disa aksione rresht në sulm, me Iranin që është nën presion. Do të jetë kjo tabloja e gjithë ndeshjes…

2′ Lajmi i momentit është se Irani ka gjetur këpucë! Marka nuk dihet, por me shumë gjasa secili për vete, sipas qejfit!

1′ Nis sfida, Maroku shkelmon nga qendra, me lojtarët afrikanë të veshur me fanella të kuqe e të mbathura jeshile, ndërsa Irani është i tëri në të bardha.

Pas fitores dramatike të Uruguait kundër Egjiptit, në fushë e kanë radhën të zbresin Maroku e Irani, që do të përballen në St Petersburg Stadium. Është ndeshja e parë e grupit B, sfidë delikate, ku vetëm fitorja vlen, në një grup ferri, ku Portugalia e Spanja janë qartësisht favorite për kualifikim.

Megjithatë, Maroku nuk duhet nënvlerësuar, sepse skuadra afrikane nuk humbet prej 10 ndeshjesh dhe ka pësuar shumë pak gola në kualifikuese. Problem për Marokun është që do të përballet me një rival që gjithashtu pikën e vet më të fortë ka mbrojtjen dhe sot do të luajë me një skemë tërësisht mbrojtëse. Para Botërorit Irani ka vuajtur për të gjetur miqësore, ka pasur probleme me këpucët (Nike nuk e furnizon më për arsye politike) dhe skuadra nuk është e ndonjë niveli të lartë.

Përfundimi? Fiton Maroku, ndoshta 1-0, me Ajub El Kabin që shënoi 9 gola në African Nations Championship këtë vit dhe duket shpresa e madhe për të ardhmen e Marokut. Për t’u ndjekur është edhe Hakim Zijesh, numri 7 që luan si sulmues i majtë dhe këtë sezon ishte mbreti i asisteve në kampionatin holandez. Po Irani? Ne vendosim bast që nuk shënon sot!

Sot gjykon turku Xhynejt Çakër, emër i njohur i futbollit europian. Në Botërorin 2014 turku drejtoi 3 ndeshje, dha 12 kartonë të verdhë dhe ndeshjet që drejtoi ai dolën të gjitha barazim, me vetëm 2 gola të shënuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *