Festa e Europës, Tavo: Ky, vetëm fillimi për Luftëtarin

 

 

Gjirokastritët organizojnë festën për arritjen e madhe. Këshilli Bashkiak vlerëson me çmimin “Mirënjohje e qytetit” Dejvi Bregun dhe Kristal Abazajn

 

Gëzim Beqiri

 

Për herë të parë Luftëtari do të përfaqësohet në Ligën e Europës. Për të festuar këtë arritje, mbrëmjen e djeshme, në pallatin e sportit të qytetit është zhvilluar një veprimtari e veçantë, me pjesëmarrjen e shumë sportdashësve. Fillimisht, janë prezantuar gjithë futbollistët dhe përmes muzikës dhe duartrokitjeve janë rreshtuar në tapetin e pallatit. Në këtë veprimtari, përveç presidentit Grigo Tavo, ishte e pranishme edhe kryebashkiakja e qytetit, Zamira Rami, por edhe të ftuar të tjerë.

TAVO – I pari përshëndeti presidenti Tavo, mjaft entuziast për suksesin: ”Ky është hapi i parë. Tashmë me këta djem dhe kontributin e të tjerëve, shkruam historinë, ndaj i përshëndes dhe i përgëzoj të gjithë, duke filluar nga komandanti Hasan Lika. Përshëndes përgatitësin atletik, atë të portierëve që u treguan profesionistë të vërtetë në përgatitjet e ekipit. Të gjithë futbollistët dhanë maksimumin, por veçoj dy yjet, Bregun dhe Abazajn. Bashkia e qytetit ka kontributin e vet në këtë sukses, ndaj gjej rastin ta përshëndes z.Zamira Rami. Të keni besim të plotë se në të ardhmen do të bëjmë edhe më mirë.

RAMI – Kurse kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami, tha: “Nuk kam fjalë për të thënë. Keni qenë të mrekullueshëm. Këtu bëni pjesë dhe ju tifozët, që si asnjëherë më parë po mbushni shkallët e stadiumit. Ishit afër ekipit edhe kur besimi për këtë arritje ishte i dyshimtë. Sot (dje) Këshilli Bashkiak vlerësoi me çmimin “Mirënjohje e Qytetit“ Kristal Abazaj dhe Dejvi Bregu. Po ashtu, ata do të shpërblehen financiarisht me nga 1 milionë lekë të vjetër. Shumë suksese për ju dhe tifozët!” Festa vazhdoi gjatë dhe shkrepjet e aparateve nuk reshtnin. Tifozët u bënë bashkë me futbollistët dhe gjithçka u mbyll ashtu si edhe nisi, por fundi ishte më argëtues, me valle popullore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *