Felipe Anderson: Në Brazil nuk ngopeshim me bukë, ju tregoj Nejmarin që nuk njihni!

Felipe Anderson la Lacion në verë për t’u transferuar tek ekipi i Uest Hemi. Braziliani po zhvillon një sezon pozitiv me “Çekiçët”, aty ku ka shënuar 8 gola në kampionat dhe ka dhuruar 3 asiste.

Talenti i 25-vjeçarit nuk është vënë kurrë në dyshim, ndërsa karriera e tij ka pësuar ulje-ngritje. Si shumica e lojtarëve brazilianë, Felipe Anderson nuk ka patur një fëmijëri të bukur, përkundrazi.

Vuajtje të mëdha, vështirësi për të mbyllur muajin dhe shpeshherë tryeza bosh. Lojtari ofensiv ka dhënë një prononcim emocional për “BBC”, aty ku zbulon dhe Nejmarin. Me sulmuesin e PSG e lidh një miqësi e ngushtë që nga koha kur luanin së bashku tek ekipi i Santosit.

VUAJTJET – “Ka patur momente kur në shtëpi nuk kishim ushqim për të ngrënë. Kur vinte fundi i muajit, dalloja trishtimin e prindërve të mi, sepse nuk arrinin të na dhuronin më të mirën. Kishin shumë borxhe dhe ndonjëherë nisnin debatet e forta për situatën e krijuar. Kishte raste kur i merrja borxh miqve çizme për të veshur. Tani marr forcë nga e kaluara ime. Vuajtjet më kanë ndihmuar të qëndroj me këmbë në tokë, të jem i përulur dhe t’i ndihmoj të tjerët, sepse e di që ka akoma shumë njerëz në pozita të vështira. Saktësisht ashtu siç ka ndodhur dhe me mua.”

NEJMAR – “Nejmar është një person i këndshëm dhe tepër zbavitës. Ai është një ‘Joker’, është shumë shakaxhi dhe gjithmonë i bën njerëzit për të qeshur. Ai adhuron muzikën e tij, kështu ka qenë gjithmonë dhe nuk do të ndryshojë kurrë. Nëse jemi diku dhe atmosfera nuk ekziston humori i duhur, ai do të ngjitet në majë të tavolinës për t’i inkurajuar të gjithë. Mund të të ftojë për të luajtur ping pong me një top futbolli, ose gjëra të tjera të ngjashme. Adhuron të qeshë dhe të bëjë shaka.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *