Fejzullahu: Nuk mendojmë për Kukësin, me Teutën si finale

0

Sot e ka pasur radhën mbrojtësi Arbnor Fejzullahu, për të dalë në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të sfidës së kampionatit kundër Teutës. Është një ndeshje delikate, kundër një rivali që ka nevojë urgjente për pikë, duke parë renditjen, por Fejzullahu është i bindur se fitorja mund të arrihet, edhe me ndihmën e tifozerisë: “Me Teutën është një ndeshje e vështirë, duke pasur parasysh edhe pozitat që bregdetarët kanë në renditje. Gjithsesi shpresoj që të triumfojmë ne pasi luajmë në shtëpi dhe kemi mbështetjen e zjarrtë të tifozëve, të cilët janë një forcë e madhe për ne në shkallët e stadiumit”.

Ndeshja me Vllazninë është lënë pas, por ndalohen gabime të tjera: “Kemi përpara edhe 7 finale, ne do të vazhdojmë rrugën tonë për të arritur objektivin final në fitimin e titullit. Ndaj Vllaznisë ne kishim shanset tona, nëse do të mund t’i shfrytëzonin më mirë, mund të kishim dalë me 3 pikë nga Shkodra”.

Duket se me Kukësin “hesapet” do të lahen në përballjen direkte, por Fejzullahu nuk e mendon ashtu: “Jo vetëm me Kukësin, por çdo ndeshje duhet vlerësuar nga ne, duke filluar nga takimi i radhës ndaj Teutës. Duhet të jemi të përqendruar maksimalisht për të kaluar pozitivisht 2 ndeshjet e radhës që në përballjen me Kukësin të synojmë vendin e parë. E rëndësishme është që ne të marrim maksimumin e pikëve në takim tonë ndaj Teutës, nëse dy rivalët ndalen do të jetë gjithçka në favorin tonë. Mendoj se të dyja, si Kukësi, ashtu edhe Skënderbeu, kanë një organikë cilësore lojtarësh, ndaj i shoh të dyja pretendente deri në javën e fundit.”.

E ardhmja e Fejzullahut? “Për momentin mendoj vetëm për Partizanin, jam i përqendruar të realizojmë objektivin final, të shpallemi kampionë. Fitimi i titullit do të ishte një vlerë e shtuar në karrierë, jo vetëm për mua, por për çdo lojtar të Partizanit”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image