Fejzullahi: S’mendoj për merkaton, ndryshimet bëhen për mirë

“Viti i duhur për fitimin e titullit kampion. Juliano do të bëjë mirë me ekipin tonë”

Mbrojtësi Arbnor Fejzullahi po shijon pushimet e tij i shkëputur nga futbolli, megjithatë duke qenë merkato, preshevari është përfshirë edhe në vorbullën e zërave të merkatos. Në çdo merkato ka zëra se futbollisti mund të largohet, por në fund mbetet gjithmonë “dem i kuq”. Fejzullahi ka folur për “Sport Ekspres” në një intervistë të shkurtër ku ka folur për ndryshimet e fundit në kampin e kuq dhe të ardhmen e tij.

– Arbnor, si po e shpenzon këtë muaj pushimi?

–  Pushimin po e shfrytëzoj në maksimum. Kam kaluar kohë me familjen dhe kam bërë plazh me të fejuarin time. Kisha kohë që nuk i kisha shfrytëzuar kaq shumë dhe kisha pushuar kaq gjatë.

– I keni ndjekur lajmet e fundit te Partizani?

– Po, sigurisht që i kam ndjekur. Kam qenë në kontakt edhe me drejtuesit e klubit.

– Si e komentoni largimin e Starovës dhe afrimin e Julianos?

– Më vjen keq që u largua profesor Starova dhe shfrytëzoj rastin t’i uroj çdo të mirë. Kemi kaluar goxha kohë me të dhe na ka mësuar jo pak. Nuk dua të hyj të flas shumë për trajnerin e ri, pasi jam i sigurt se është i mirë përderisa i kanë besuar. Gjithsesi, detyra ime si futbollist është ta respektoj. Besoj se do të bëjë mjaft mirë me ne. Ndryshimet bëhen gjithmonë për mirë.

– Faza përgatitore do të zhvillohet në Itali, mendoni se është zgjedhja e duhur?

– Kam marrë informata dhe mendoj se është bërë zgjedhja e duhur. Në Itali janë kushte shumë të mira dhe kemi mundësi të përballemi me ekipe mjaft të forta.

– Emri yt vazhdon të qarkullojë në merkato nga Sioni te Osijeku, së fundmi…

– Kam dëgjuar dhe i kam marrë vesh këto lajme ndërmjet gazetave. Nuk di të them diçka, pasi po shijoj pushimet dhe do të kthehem te Partizanit. Më pas për gjithçka do të bisedoj me klubin dhe mund të vendos.

– Sa shanse ka Partizani për të fituar titullin kampion?

– Këtë sezon mendoj se titullin duhet ta fitojmë, pasi kemi disa vite që i afrohemi. Kemi fituar eksperiencën e duhur dhe besoj se nuk do të përsërisim gabimet e viteve të shkuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *