Federbet, loja e pisët dhe gënjeshtrat e Barrankës!

1

Nuk raporton as në emër të parlamentit evropian, as për UEFA-n dhe aq më tepër për FIFA-n. Organ i pavarur, që përpiqet të lidhë kontrata monitorimi. Objektivi është Skënderbeu dhe daljet e shpeshta në listën e zezë janë shantazh. “Sport Ekspres” zgjeron çështjen dhe zbulon prapaskenat

Shumë nga shqiptarët, sigurisht, duke parë atë që është duke ndodhur, mund të kenë pyetur veten: kush është Federbet? Çfarë përfaqëson? Në emër të kujt jep llogari? A mund të ndikojë në ndonjë vendim përjashtimi apo gjobitje të një klubi futbolli?

Të gjitha pyetje legjitime dhe të gjitha kërkojnë përgjigje, por fakti është se ndonjëherë gjërat nuk janë ashtu si duken. Madje, në raste si kjo, mes asaj që thuhet (dhe shkruhet) dhe realitetit është po e njëjta distancë mes tokës dhe kufijve të Universit. Shumë pak e njohin Françesko Barrankën, numrin “1” të kësaj kompanie që ushtron presion vazhdimisht kundrejt ekipeve shqiptare dhe që “zbavitet” të vendosë, kohët e fundit, emrin e Skënderbeut në listën “e zezë” të ndeshjeve tek të cilat janë lujtur shuma të mëdha parash në baste sportive. Eshtë e katërta herë që Federbet nxjerr Skënderbeun si “delen e zezë” të tufsës dhe këtu, padiskutim, që hetimi i bërë duhet të thellohet dhe kështu është bërë. Si gazetë, “Sport Ekspres”, kishim dhe kemi detyrim moral që të kuptonim më shumë mbi këtë histori.

f

Mjaftuan disa kërkime dhe sidomos çështja “Lacio” në qershor të po këtij viti për të kuptuar më shumë. Mediet italiane menjëherë e kuptuan dhe demaskuan lojën e pistër (nëse e tillë është vërtët) nga kompania e sipërpërmendur dhe që shqiptarët njohin më së miri. “Lacio rrezikon përjashtimin nga Champions League”, do të ishte deklarata e Barrankës, presidentit të Federbetit.

Por, as Federbet dhe as Françesko Barranka, sipas medieve italiane, por edhe angleze e gjermane, nuk i përgjigjet parlamentit Europian dhe nuk kanë asnjë mandat nga Bashkimi Europian për të monitoruar sistemin e basteve. Nuk kanë asnjë mandat as me FIFA-n apo me UEFA-n që, në këtë rast, ka zgjedhur SPORTRADAR, monitoring system (praktikisht, nëse emri të del sipas raportit të kësaj kompanie, thuajse je i marrë fund). Ndoshta këtu lidhet dhe humori i shpeshtë i klubit të Skënderbeut për të banalizuar çdo lajm të Federbetit. Ndoshta, me të drejtë, klubi korçar i përgjigjet lojës së pisët. Pse Federbet kërkon të “persekutojë” Skënderbeun?

Pra, Federbet dhe Barranka nuk janë ato që “pretendojnë” se janë.

Skandali më i madh që donte të përfshinte Lacion ndodhi një ditë feste në Itali, praktikisht kur lajmet mungonin dhe në redaksi të ndryshme donin “ta prodhonin”. Nuk duam të ndalemi tek kjo gjë, përkundrazi… Por, tek mesazhi që jepet dhe që është totalisht gabim: “e ka thënë një kompani që raporton për Parlamentin Europian, ndaj duhet të jetë e vërtetë”. Fals!

Diçka që kemi arritur të kuptojmë është mëse e qartë: pse asnjëherë nuk përmendet emri i një skuadre “big”, pra me pushtet, edhe pse në mendjen tonë kemi krijuar jo pak dyshime për këtë fakt.

U përpoqën që përpara Botërorit në Brazil (2014) të denonconin disa ndeshje për trukim në kampionatin anglez. Reagimi? Federata Angleze e bëri të madhe dhe kërcënoi me ndjekje ligjore kundër Federbet në rast se do të vazhdonin në këtë linjë. Çfarë ndodhi si pasojë? Barranka & Co nuk përmendën më asnjë klub anglez.

Qëllimi – Por, pse e bëjnë këtë gjë? Për t’u akredituar. Si të thuash: unë mund të nxjerr në sipërfaqe gjëra që mund të të fusin në telashe, ndaj nëse akordohesh me mua të ndihmoj që të mos ndodhë më. Me anglezët nuk funksinoi kjo lojë, ndërsa në Itali po. Në fakt, Federbet ka arritur akord monitorimi me Novarën dhe Atalantën, që përfunduan gjithashtu në “furtunën” e basteve të paligjshme.

E ka bërë edhe Vareze, pasi disa muaj më parë, Federbet kishte denoncuar anomali tek bastet Vareze-Katania.

Pasi është firmosur akordi i monitorimit me Varezen, tani ajo ndeshje është magjikisht e zhdukur nga lista e ndeshjeve të Serisë B me Katanian protagoniste dhe që sipas asaj që është deklaruar nga vetë Barranka ka “nuhatje” për trukim. Madje, njoftoi se do të shkonte në Prokurori për të bërë denoncim. Nuk shkoi kurrë.

Por, pse duhet të thoshte pas një jave?! E thjeshtë, sipas medieve italiane që kanë zbuluar lojën (në Gjermani, sakaq, as nuk kanë kohë të merren, ashtu si edhe në Francë), Federbet dhe Barranka ka arritur gjatë kësaj kohe të firmosë kontrata të majme me dhjetra mijëra euro me klube të Serisë A dhe B. Kështu operon Federbet, që në një farë mënyre është shantazh.

Ashtu si Federbet operon edhe “Skysport365”, adresa e basteve online me seli në Austri, në Insbruk, në pronësi të Paolo Karlo Tavarelit, për të cilin Baranka punon prej vitit 2009. Dhe, “Skysport365” figuron në listën e adminstratorëve të basteve që operojnë ilegalisht në Itali, sepse nuk kanë liçencë për të mbledhur baste, nuk janë të njohur nga shteti dhe si pasojë nuk i derdhin para si Monopoleve të Shtetit as arkës së sportit italian. Në hetimin e Kremonës, në fakt, “Skysport365” figuron si “viktimë apo denoncues i shkeljeve”, por edhe si lidhje me bandat e akuzuara që “trukojnë ndeshjet”.

Pra, nuk është ar çdo gjë që shkëlqen. Përkundrazi, ndonjëherë është më shumë plumb se ar… Madje, në shkurt të këtij viti, në heshtje të përgjithshme edhe të medieve, në Leçe ka nisur maksi-proçesi në dëm të 27 të pandehurve që duhet të përgjigjen për shkeljen e bërë në “bashkëpunim në shkelje e finalizuar me mbledhjen abuzive të basteve”. Mes të pandehurve, përveç personazhesh të dënuar në të kaluarën për mafie, riciklim dhe shpërndarje droge, ka agjentë, super agjente, master dhe themelues të kompanisë “Goldbet Gmbh”, themelues të “Skysport365 Group) dhe, liderët e kompanive Acogi dhe Federbet. Pikërisht ai, Françesko Barranka, që pretendon se do të moralizojë futbollin dhe botën e basteve për llogari të Parlamentit Europian. Madje, në Bruksel nuk dinë ende pse Barranka ka shkuar shpesh në Itali, sepse ai, sipas raportit, ka thënë se ndodhet aty për t’u akredituar.

Praktikisht, Barranka është një “aktor” dhe këtë nuk e thotë “Sport Ekspres”, por disa portale italiane që i shkuan deri në fund hetimeve për mbledhjen e fakteve dhe ajo që rezulton është se ky drejtor i kësaj kompanie është ende nën proçes dhe i akuzuar sepse vepron jashtë rregullave, duke mbledhur ilegalisht bastet dhe duke bashkëpunuar me ato që e bëjnë.

Nëse e gjitha kjo është e vërtetë, praktikisht Skënderbeut është duke iu bërë një shantazh i përfaqësuar nga një kompani që s’ka asnjë të drejtë ligjore ta bëjë këtë gjë…

 

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image