Federata ka projekte ambicioze, shahu synohet të futet nëpër shkolla

0

Florian Behlula

 

Sporti i shahut po rikthen traditën e mirë të një lëvizjeje shahistike, me aktivitete të shumta, pjesëmarrje ndërkombëtare dhe rezultate të larta. Federata Kombëtare e Shahut zhvilloi Asamblenë e saj, në të cilën u bë e ditur se është shumë pranë ngritja e një akademie  për të rritur dhe zhvilluar talentet e reja në këtë sport. Gjithashtu brenda muajve të parë të këtij viti do të nisë të bëhet realitet futja e shahut në shkolla. Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Rezart Taçi, tha në fjalën e tij në Asamble se këto projekte ambicioze jo vetëm do të bëhen realitet, por do të sjellin edhe rezultate të shumëdëshiruara. “Ne kemi një pasuri mes nesh, ne kemi shahistë dhe trajnerë të shkëlqyer të cilët meritojnë vlerësimin tonë dhe padyshim falenderimin tonë. Jam i bindur se projektet tona do të bëhen realitet, duke u shndërruar në një nga  federatat më simpatike në Shqipëri sa i takon rezultateve sportive. Për të arritur objektivat tona jemi duke menduar që në këtë stad do të jetë e nevojshme zgjerimi i stafit të Federatës, për t’i dhënë një frymëmarrje dhe rikonceptim efikas dhe modern punës organizative dhe koordinimit midis klubeve tona. Ambiciet tona janë të mëdha dhe janë të mbështetura mbi projekte reale, janë të mbështetura mbi përpjekje që zhvillohen përditë nga njerëz të apasionuar që punojnë me shahun”, u shpreh Taçi.

Aktivitetet – Presidenti i Federatës vlerësoi gjithashtu edhe punën e deritanishme, përkushtimin dhe pasionin e të gjithë komunitetit të këtij sporti dhe sidomos shahistëve dhe trajnerëve. Ai tha viti që shkoi solli aktivitetet të rëndësishme jo vetëm sa i takon intensitetit por edhe cilësisë. “Janë organizuar me sukses kampionatet kombëtare për të rinj, si dhe kampionatet kombëtare për femra dhe meshkuj. Një arritje mjaft e rëndësishme është edhe organizimi për dy vite rresht i kampionati kombëtar të shkollave si një fazë embrionale e futjes së shahut në shkollë, duke e afruar me tej finalizimin e këtij objektivi, me nënshkrimin e marrëveshjes fillestare me FIDE”, tha kreu u FSHSH-së.

Gjonaj – Drejtori i sporteve në ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimit Gjonaj, u shpreh se Federata e Shahut është një nga federatat më të mira që ka vendi dhe se rezultatet dhe puna e kësaj federate po bëjnë të mundur zbatimin e programeve të rëndësishme si futja e shahut në shkolla. “Është një nga federatat e mira që kemi ne, që e vlerësojmë në federatat pararojë për punën që bën dhe zhvillimin e një numri të konsiderueshëm të aktiviteteve sportive. Dhe ne si ministri jemi munduar që ta mbështesim këtë sport”, tha Vladimir Gjonaj, drejtori i sporteve në ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Ndërkaq, Federata Shqiptare e Shahut do të kërkojë që Kampionati i ardhshëm Europian i vitit 2016 të zhvillohet në Shqipëri.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image