Fasone: Rindërtimi nis nga Donaruma, duam disa “top players”

0

Administratori i ri i deleguar i Milanit, praktikisht shefi i madh i klubit kuqezi, Marko Fasone, ka folur në konferencën për shtyp organizuar sot në Casa Milan, ku gjerësisht ka shpalosur planet e së ardhmes.

PREZANTIMI – “Falënderoj të gjithë, deri tani nuk kemi folur, ndërsa tani do të jemi më të qartë me tifozët dhe median. Pronarët e rinj nuk kanë ardhur këtu vetëm për biznes, unë jam menaxher dhe do të mundohem ta administroj sa më mirë klubin, duke nisur punë të martën, por duke punuar prej kohësh në aspektin e studimit të klubit”.

DONARUMA – “Duam që Donaruma të bëhet një kolonë e së ardhmes së Milanit dhe dëshirojmë ta zgjidhim sa më shpejt çështjen e rinovimit të kontratës së tij. Mes dëshirës dhe realitetit ka diskutime që natyrisht do të mbahen. Është një prioritet që do ta vlerësojmë në maksimum. Pastaj, ka edhe lojtarë të tjerë që u skadon kontrata në vitin 2018, apo të tjerë që presin rinovimin, si Suso”.

MONTELA – “Trajneri ka mbështetjen tonë të plotë, me të dhe Mirabelin do të bashkëpunojmë për të përforcuar skuadrën. Kemi një buxhet të rëndësishëm për të ndërtuar një Milan shumë ambicioz dhe cilësor. Mançini te Milani? Ai është një ndër më të mirët në botë, por nuk ka arsye pse të kemi dyshime mbi Montelën. Kemi besim tek ai, edhe pse shpresoj që Mançini të gjejë një klub në nivelin e tij. Megjithatë, po e përsërit, e ardhmja e Milanit është Montela”.

 

FAIR-PLAY FINANCIAR – “Javën e ardhshme do i dorëzojmë UEFA-s gjithë dokumentacionin për marrëveshjen e përbashkët me një plan 3-vjeçar. Barbara Berluskoni do mbetet presidente e Fondacionit Milan. Pronarët e rinj do të shpenzojnë në total mbi 1 miliard, mes kostos së blerjes, kostove të administrimit për këtë vit dhe investimet e ardhshme, ndaj është e qartë që janë nevojitur financime shtesë, por tifozët duhet të qëndrojnë të qetë, niveli i borxheve është shumë i ulët krahasuar me potencialin që ka Milani, që duhet të kthehet urgjentisht në Champions League”.

ISH-INTERISTËT – “Si ish-interist, a dua të sjellë të tjerë te Milani? Jo, duke ta sjell persona sa më të aftë, nuk kam asnjë paragjykim se kush punon këtu. Është e rëndësishme të kemi në krah dikë me ADN-në kuqezi, por nuk është një prioritet gjetja e lojtarëve “flamuj”, sepse kemi aktualisht edhe emra si Franko Barezi e Filipo Gali”.

STADIUMI – “Kemi biseduar për këtë çështje që në fillim të vitit, na duhet një stadium i përshtatshëm. San Siro është i jashtëzakonshëm, do të marrim një vendim pasi të flasim me Interin, me Komunën e Milanos dhe presidentin e Krahinës së Lombardisë”.

PREMTIMET – “Duhet të mendojmë të ndërtojmë skuadrën për sezonin e ardhshëm. Vonesat në shitjet e klubit na kanë ndryshuar disa plane, por duam t’i vëmë në dispozicion trajnerit 60-70% të përforcimeve që në ditët e para të grumbullimit për sezonin e ri. Gjithashtu, do të punojmë në tregun kinez, për ta rritur klubin në aspektin e biznesit, pasi Kina është një burim i shkëlqyer të ardhurash. Për të dyfishuar të ardhurat në periudhën afatshkurtër, synimi i parë është kthimi në Champions League dhe më pas Kina, që e adhuron Milanin. Në periudhën afatmesme duhet synuar stadiumi më vete, në pronësinë e Milanit. Kuotimi në bursë është një mundësi në horizont”.

EMRAT E MËDHENJ – “Obamejang apo Benzema? Varet nga tregu, emrat na pëlqejnë, duam disa lojtarë të nivelit shumë të lartë, por duhet gjetur marrëveshja me të gjithë, lojtarin dhe klubin. Deulofeu? Është një talent i madh në huazim, do të flasim me Montelën dhe do të shohim”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image