“Faraonët” e Superiores, ja se si shpërndahen milionat!

Vangjeli qëndron mbi të gjithë, teksa Çani vjen pas me vetëm 5 mijë euro. Megjithatë, Takaj është i shqetësuar, pasi duhet edhe të japë paga të tjera të larta. Te Kukësi rëndojnë bonuset, ndërsa Duro është “pankina e artë”

Nga Anton Cicani

Një proverb gjerman thotë… “kur paraja troket, dyert shpërthejnë… Zoti mbretëron në qiell, paraja në tokë”. Praktikisht, në ditët e sotme, llogaria bankare është më e rëndësishme qoftë edhe se një ndjenjë e momentit, se një miqësi e pastër dhe se një dashuri e shprehur në një formë larg asaj… ekonomike dhe të interes. Sot, pyetja e parë që bëhet në një takim pune nuk është se “çfarë do të bëj?”, por “sa e kam rrogën?”… E pra, kështu funksionon bota në ditët e sotme dhe askush s’mund të bëjë përjashtim. Sidomos, nëse ke një zanat që të jep mundësi në një hark kohor prej 20 vjetësh të bësh shumë para dhe, më pas, mund edhe t’i dedikohesh diçkaje tjetër me terezi. Është rasti i futbollistëve, atyre që fitojnë shifra të çmendura, atyre që ndoshta ndonjëherë harrojnë edhe se sa zero ka shkuar llogaria që kanë.

Kristi Vangjeli, lojtari me i paguar i Superliges

Por, s’janë vetëm ata më të pasurit ata që përfitojnë nga ky sport, por edhe ata që vërtet kanë nevojë dhe që në fund të muajit afrohen te bankomati. Në Shqipëri, për shembull, buxheti i klubeve është rritur shumë me kalimin e viteve. Përpara disa ditësh, Ardjan Takaj tha se paratë e fituar deri tani nga Europa dhe kualifikimet (kanë kaluar tri ture), plot 920 mijë euro, mund edhe të mos dalin për një sezon, për të paguar gjithçka (nga rrogat te akomodimi, strukturat, bazat materiale dhe logjistike, stafi teknik e taktik e administrata).

Presidenti i Skënderbeut e kishte bërë mirë llogarinë, duke ditur se pikërisht në skuadrën e tij luan Kristi Vangjeli, që sot për sot fiton 100 mijë euro në sezon, më shumë se kushdo. Pikërisht kur la Rumaninë, Partizani i bëri një ofertë prej 85 mijë eurosh në sezon, por shkoi te Korça, për 15 mijë euro më shumë. Pas tij, blerja e re e të kuqve, Çani, me 5 mijë euro më pak, ndërsa po dy të tjerë të Skënderbeut, Lilaj dhe Shehi, fitojnë bashkë 152 mijë euro, aq sa fitonte i vetëm Salihi një sezon më parë. Edhe pse Shehi do të largohet dhe arkat do të kenë pak lehtësim, do të ketë afrime të tjera. Sakaq, Bakaj futet në top “5” me 75 mijë euro, në rast fitimi të titullit, ndërsa edhe Alban Hoxha i Partizanit qëndron në këtë listë speciale me 70 mijë euro. Të tjerët vijnë më poshtë, por që natyrisht peshojnë në arkat e klubeve. Mjafton të thuhet se buxhetet e tre skuadrave të para të renditjes (Skënderbeut, Partizanit dhe Kukësit) janë mbi 700 mijë euro do të thotë shumë.

“Special Duro” – Nga fusha në stol… Një Shpëtim për lojtarët, por jo për arkat e klubit të Flamurtarit, e thënë kjo në mënyrë figurative, natyrisht. Trajneri i kuqezinjve, në Vlorë, paguhet praktikisht 5 mijë euro në muaj. Një rrogë që e mban kështu në vend të parë në Superligë, duke lënë pas Milinkoviçin e Kukësit, që vetëm në fund çedoi dhe u dorëzua përballë kushteve të verilindorëve, pasi kishte kërkuar fillimisht 6 mijë euro. Por, edhe Ilir Daja nuk bën shaka, me 3100 euro në muaj, te Skënderbeu, edhe pse Takaj mund t’ia rinovojë kontratën dhe t’i rrisë rrogën në rast se do të arrihet të shkohet në grupet e Europa League. Sakaq, në vend të katërt, por për të vetmin fakt se është i ri dhe pa përvojë, Mark Juliano i Partizanit. Vetëm 100 euro në muaj më pak se Daja, te të kuqtë. Gjithashtu, rroga e tij është në proporcion me arritjet, sepse rikthimi te titulli do të thotë rinovim dhe sidomos rritje të konsiderueshme.

 

Më të paguarit e Superligës

 

Lojtari                                   Skuadra                                Rroga vjetore

1.Kristi Vangjeli                      Skënderbeu                           100 mijë euro

2.Edgar Çani                          Partizani                                95 mijë euro

3.Sabien Lilaj                         Skënderbeu                           82 mijë euro

4.Elis Bakaj                           Kukësi                                   75 mijë euro*

5.Orges Shehi                        Skënderbeu                           70 mijë euro

6.Alban Hoxha                       Partizani                                70 mijë euro (nëse fiton titullin kampion)

 

Trajneri                                                Skuadra                                Rroga mujore

1.Shpëtim Duro                                     Flamurtari                             5 mijë euro

2.Milinkoviç                                           Kukësi                                  4 mijë euro

3.Ilir Daja                                             Skënderbeu                           3,1 mijë euro

4.Mark Juliano                                       Partizani                               3 mijë euro

 

Absurdi Ze Maria, paguhet më shumë nga të gjithë edhe pse në Kategorinë e Parë

Edhe pse nuk një shifër zyrtare, burime pranë gazetës “Sport Ekspres” bëjnë me dije se mbreti i stolit në Superligës, sa i përket rrogës, është trajneri i Tiranës, Ze Maria. Ai fiton 5 mijë dollarë në muaj dhe do të drejtojë një skuadër, bardheblutë, në Kategorinë e Parë. Pra, pak më pak se Shpëtim Duro, por nëse merret parasysh se edhe shtëpinë dhe facilitete të tjera ia paguan klubi i Tiranës, atëherë është padiskutim në vend të parë. Në Kategorinë e Parë, sakaq, ai fiton thuajse sa 6-7 trajnerë të dorës së dytë bashkë…

 

Në Angli fitoi 350 mijë euro në pak muaj, sot Çani kënaqet me një rrogë modeste

Te Lids firmosi një kontratë vërtet të artë, por nuk arriti të shkëlqente dhe u kthye në Siçili. Transferimi në Shqipëri për një pagesë normale, edhe pse ai e sheh si bast…

Në karrierën e tij, Edgar Çani ka provuar të luajë kudo… Në fak, vetëm pak kohë më parë, sulmuesi aktual i Partizanit, që u transferua me parametra zero pasi Piza ra në Lega Pro dhe rrezikon madje edhe më shumë se kaq, pasi forca ekonomike është e vogël, firmosi për Lids Junajtidin, ku sot luan, për ironi të fatit, Kaled Ekuban, ish bomber i të kuqëve sezonin e shkuar. Në Angli, ai firmosi një kontratë prej 350 mijë eurosh në sezon me bonus, në rast ngjitje në Premier League, teksa Lidsi duhet të paguante 600 mijë euro te Katania për kartonin e tij. Diçka e tillë nuk ndodhi hde Çani u kthye në Siçili për t’u xhiruar më pas në Serinë B. Por, sot, ish sulmuesi i kombëtares (De Biazi i besoi edhe vitin e fundit si trajner kuqezi), kënaqet me një rrogë tepër normale dhe modeste. Në fakt, firma me Partizanin është kryer për vetëm 95 mijë euro në sezon, që do të thonë praktikisht më pak se 8 mijë euro në muaj. Një rrogë normale për të, duke thënë se ka firmosur për dy vjet dhe, nëse ndodh çudia që të shpërthejë dhe rilindë, atëherë Partizani do të përfitonte te kartoni. Ndoshta, ky është edhe basti personal i Çanit, që shpreson vërtet që kjo të ndodhë…

Kur Torasa fitonte 10 mijë euro në më pak se një sezon

Sot ndodhet në Argjentinë dhe s’do të kthehet më në Tiranë, pasi Luçiano Moxhi e nglesi në klasë, por Agustin Torasa ka qenë ndër më të paguarit e Superligës, ashtu sikurse edhe Salihi, “mbreti” i vërtetë. Në fakt, në më pak se një sezon, kur mbërriti rroga e tij prekte neto 10 mijë euro, pa bonuse ose pa u përfshirë numri i golave. Një shifër vërtet e frikshme, teksa vitin e fundit pati një ulje page për të, deri në 8 mijë euro dhe, më pas, i bënë praktikisht dalje, pasi revolucioni me Moxhin nisi nga spastrimet.

Rekordi i dekadës

Çdo gol i Salihit me vlerë 5,8 mijë euro!

Në dy vjet te Skënderbeu, sulmuesi shkodran ka shënuar 52 gola dhe përfituar 300 mijë euro. Megjithatë, pasha e topave të dërguar në rrjetë dhe rezultatet e arritura janë në proporcion

Hamdi Salihi sot luan në kategorinë e dytë austriake, me Neushtadin (që kryeson renditjen e kampionatit), por u largua nga Shqipëria me “xhepin plot”, duke vendosur edhe një rekord sa i përket dekadës së fundit. Bomberi shkodran, në dy vjet te skuadra korçare përfitoi plot 300 mijë euro, praktikisht 150 mijë euro në sezon, pa harruar ndonjë bonus të vogël nga Europa. Pikërisht Salihi, që në Shqipëri gjithashtu ka veshur fanellën e Tiranës dhe Vllaznisë, ku edhe u rrit si futbollist, në total, nëse përfshihen edhe ndeshjet e kupave, janë 51 gola të realizuar. Praktikisht, nëse bëhet një llogari e thjeshtë, një gol i Salihit ka pasur vlerë 5,8 mijë euro për arkat e klubit të Skënderbeut… Një investim, sigurisht, me shumë vlera, por edhe i arritur nga merita e lojtarit. Në fakt, çdo qindarkë të atyre golave, Salihi e ka djersitur jo pak. Mjafton sezoni i artë i kupave të Europës, kur korçarët arritën të kalonin tri ture. Salihi do të shënonte pesë gola dhe do t’I jepte dy kualifikime skuadrës së Skënderbeut (tri gola ndaj Milsamit dhe dy ndaj Krusejdërsit).

Praktikisht, gati 500 mijë euro në arkat e Skënderbeut. Do të mjaftonin këto për të shlyer investimin e bërë nga presidenti Ardjan Takaj, që e mori pas aventurës së Salihit në Izrael me Hapoel Akre. Edhe pse, duhet thënë, Hamdi Salihi është nga ata futbollistët që në karrierën e tij, të paktën nga lojtarët e rritur në Superligë, ka fituar shumë para nga profesioni. Në fakt, në Amerikë, kur luante me DC Junajtidin e Uashingtonit, Salihi përfitonte një rrogë të barabartë me 450 mijë dollarë.

Tashmë që ka shkuar në Austri, edhe pse rroga nuk bëhet zyrtare, sigurisht që për Salihin ka qenë një kthim mbrapa, pra disa hapa mbrapa, teksa rroga e tij është ulur ndjeshëm, sigurisht poshtë 150 mijë eurove në sezon. Nuk dihet se sa përfiton te Neushtadi, por natyrisht që duke ditur standartin e ligës së dytë austriake, duhet jetë diçka mes 60-70 mijë eurove në sezon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *