Fantastike/ Kurrë mos harro nga vjen! Rashford meriton gjithë duartrokitjet: Shkuam në dyqan dhe morëm vetëm 7 shishe kosi

Nga Klaudio Ndreca

Asnjëherë mos e harro se nga vjen, sado larg që të shkosh! Shumë prej ikonave dhe figurave më të njohura të futbollit në botë kanë ardhur nga një fëmijëri e kaluar në vështirësi, atje ku diskutohet mbijetesa. Por nëse sot konsiderohen si kampionë të mëdhenj, kjo vjen edhe për faktin se asnjëherë nuk e kanë harruar të shkuarën e tyre.

Rashford është një prej tyre edhe pse ende në hapat e parë. Sulmuesi i Manchester United ka ngritur zërin dhe i ka dërguar një letër Qeverisë Britanike për vendimin e fundit, atje ku kanë vendosur që të heqin ushqimin falas në shkolla. Pikërisht në këtë krizë të Koronavirusit, atje ku shumë familje janë prekur nga ekonomia e tyre dhe varfëria është shtuar.

Lojtari i United kërkon që një gjë e tillë të mos ndodhë kurrsesi, ndërsa ka kontribuar edhe nga paratë e tij për të ndihmuar njerëzit që luftojnë për mbijetesë. Gjithashtu duke treguar edhe një histori personale për “BBC”, Rashford shprehet: “Sistemi nuk është i ndërtuar që familje si e imja të jenë të suksesshme. Nëna ime punonte me kohë të plotë, për të fituar paga minimale dhe për t’u siguruar që do të kishim darkë të mirë në tryezë, por nuk ka qenë e mjaftueshme.

Duhet të lëmë politikën mënjanë, a nuk mund të pajtohemi që të mos ketë fëmijë që të vuajnë ende për ushqim? Ne kemi shkuar njëherë në dyqan me 1 paundë dhe kemi blerë shtatë kos, kështu që mund të hanim nga një çdo ditë”, u shpreh Rashford, për të treguar problemin e tij që ka qenë prezent kohë më parë, por vazhdon të ekzistojë edhe sot për shumë familje në Angli. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *