Falkao supergol, më në fund fitorja e parë: Henri gjen pak qetësi!

Tieri Henri më në fund e ka arritur fitoren e parë si trajner! Një gol nga Radamel Falkao në minutën e 54-t i dha fitoren 1-0 Monakos në Kaen, në ndeshjen e luajtur të shtunën për Ligën 1 franceze.

Është suksesi i parë në 7 ndeshje për Monakon, që kur në stol është ulur ish-legjenda e klubit dhe kombëtares franceze.

Henri e mori Monakon kur u pushua nga puna Leonardo Zhardim, para 6 javësh, me renditjen që “vajtonte”, sepse skuadra nga principata renditjen në vendin e tretë nga fundi.

Henri la postin e zëvendëstrajnerit të Belgjikës, por në Francë nuk po i ecën, sepse edhe dëmtimet pa fund ia kanë bërë të pamundur punën.

Katër humbje e dy barazime deri dje, kur më në fund erdhi suksesi i parë, që ka vlejtur një hap përpara në renditje, edhe pse vendi i parafundit është shumë pak dhe duhet një ritëm tjetër në vazhdim.

“Një fitore çliruese, na duhej shumë. Jam i lumtur për lojtarët e tifozët, morëm tre pikë që na japin qetësi, por është vetëm fillimi dhe jemi ende në fundin e tabelës. Situata është delikate, jemi të vetëdijshëm. Kalendari është shumë i vështirë, dëmtimet janë të shumta, por nuk duhet të kërkojmë justifikime”, tha Henri, dukshëm më i qetë pas ndeshjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *