Faleminderit, Laç!

Skënderbeu humbi. Më në fund, kanë thënë gjithë klubet e tifozët kundërshtarë, ose të paktën ata që ëndërrojnë kreun, sepse nuk është se andej nga fundi i tabelës e ka njeri mendjen te Skënderbeu.

Gjithsesi, për të qenë realistë, Skënderbeu mbetet larg, shumë larg klubeve të tjerë në Shqipëri dhe do të duhej një çmenduri, përzier me çudira pa fund, që Skënderbeu të mos e fitojë titullin këtë sezon. Tani e tutje do të jetë më i plotë dhe më i freskët, pas disa muajsh ferri, me udhëtim çdo tre ditë.

Edhe rivalët e dinë që janë ende larg, por jo dhe aq sa mendohej dhe tashmë Flamurtari është -6, distancë që edhe nëse nuk do të fshihet kurrë, të paktën bën të mendohet që në Vlorë kanë ndërtuar një skuadër që nuk është larg Skënderbeut.

Me siguri thuajse gjithë gazetarët dje kanë gëzuar për frenimin e Skënderbeut. Përtej tifozllëkut, një Skënderbe aq i shkëputur nuk i bën mirë kampionatit, nuk ka lezet të shohësh e të komentosh një garë për vendin e dytë. Nuk e as çfarë shkruan më, komplimentet e lëvdatat për Skënderbeun kanë qenë pa fund prej kësaj vere, saqë tashmë duket sikur gjithë gazetarët janë nga Korça. Në fakt, nuk është ashtu, Skënderbeu i ka merituar lëvdatat, por për fat humbi në Laç dhe kampionati u zbukurua.

Një duartrokitje për Laçin: dje fitoi pa praninë e tifozëve dhe tregoi edhe një herë se është një skuadër që di dhe dëshiron të luajë futboll. Pashk Laska ka vite që mundohet ta fshijë imazhin e shëmtuar të një Laçi agresiv e të dhunshëm dhe më në fund ia ka arritur, përtej asaj që ndodhi me Kukësin, që ishte një ngjarje e dënueshme. Edhe vetë Laska është lodhur nga skenat që shkaktojnë tifozë të caktuar, aq sa ndonjëherë e thotë: Më mirë të luajmë me dyer të mbyllura. Kështu nuk ka justifikim askush.

Laçi ka marrë 11 pikë jashtë fushe këtë sezon, një më pak se gjigantët e kampionatit, duke nisur nga Skënderbeu e deri te Partizani i ringjallur. Ndryshimi i madh është se çdo pikë Skënderbeut e të tjerëve u kushton miliona, Laçit i kushton shumë më pak. Ka lojtarë në Superiore që marrin rreth 10.000 euro në muaj. Në Laç nuk do të ndodhë kurrë. Aty rriten të rinj të talentuar, së shpejti do të shiten mijëra euro, sepse Laska e ka kuptuar se futbolli duhet kthyer në biznes fitimprurës dhe ka ikur koha kur lojtarët liheshin të lirë falas, apo firmosnin kontrata 1-vjeçare, sa për të shtyrë sezonin. Trajneri Mezani është në vendin e duhur në momentin e duhur, Laçi i këtij sezoni dhe ai i djeshmi meritojnë duartrokitje dhe falënderime. Nëse kampionati mbetet i hapur dhe Skënderbeu nuk e ka vrarë ende garën për titull, meritë ka edhe Laçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *