Faleminderit çuna!

0

 

Nga Ervin Baku

Jeni kthyer dje në shtëpi. Me kokën lart. Keni shkruar një kapitull të ri dhe unikal në historinë e sportit shqiptar. Me mundësitë që keni, keni bërë paraqitjen më të mirë të mundshme. E përditshmja franceze “L’ÉQUIPE”, me pikëzimin e saj në paraqitjen e skuadrave, e ka renditur Shqipërinë në vendin e 13-të. Duke lënë pas Çekinë, Irlandën e Veriut, Zvicrën, Portugalinë, Rumaninë, Suedinë dhe Austrinë. Trajnerin tonë Xhani De Biazi e rendit në vendin e katërt, së bashku me gjermanin Lëv. Arlind Ajetin e ka renditur në vendin e 13-të në renditjen e përgjithshme të lojtarëve. Një performancë e jashtëzakonshme për qendërmbrojtësin tonë. Na keni bërë krenarë me performancë tuaj. Jemi dridhur nga adrenalina që na dhatë. Kemi përjetuar 9 ditë magjike në Lens, Marsejë dhe Lion. Por të rrimë me këmbë në tokë. Nga të pestë skuadrat që vinin për herë të parë në një kompeticion madhor si Europiani, vetëm ne u eliminuam. Këtë eliminim nuk mund ta shesim si fitore. Jeni pritur si heronj për moskalimin e grupit. Imagjinoni sikur të kishit vazhduar rrugëtimin për më tej. Nuk kam absolutisht asgjë kundër pritjes dhe respektit maksimal. Por pritjen e djeshme bota e bën në rast të fitimit të një trofeu. E di që jemi shumë të vegjël për të pretenduar trofe.

Por sot jemi rritur shumë. Dhe për të fituar trofe apo arritje të mëdha duhet të punojmë shumë e më shumë… Ju nuk keni nevojë për pashaporta diplomatike. Sepse ju jeni tashmë ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë në Europë dhe Botë. De facto dhe de jure. Atë që nuk bëri dhe nuk e bën dot politika shqiptare, e bëri sporti. E bëri futbolli. E bëtë ju.

Politika nuk ka asnjë meritë në këtë arritjen tuaj modeste. Asnjë. Por politika nxiton t’ju privatizojë sot. Uroj vetëm një gjë : Që ky mos jetë vetëm një shou politik. Sepse ju jeni monopol i gjithë shqiptarëve. Ju nuk keni nevojë për shpërblimin 1 milionë Euro. Edhe pse thonë që “peshqeshin e do dhe mbreti”, ju jeni profesionistë. Ju bëtë punën tuaj. Dhe bëtë një punë shumë të mirë. Ato 1 milionë Euro u morën nga buxheti i një Shqipërie të varfër. Gjithësesi, bravo çuna ! Faleminderit për imazhin e ri të Shqipërisë. Brenda dhe jashtë fushës së lojës. Faleminderit për imazhin e ri që tifozëria shqiptare mori në Francë. Falë jush. Tashmë në Europë, jemi edhe ne. Faleminderit çuna ! Faleminderit Shqipëri !

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image