Fakiç: Në janar afrojmë sulmues, duam patjetër titullin

Drejtori sportiv i Skënderbeut flet për ndeshjen e nesërme në Zvicër, titullin, shitjet dhe afrimet që priten në merkaton e dimrit

Leonard Trebicka

Paraqitja e Skënderbeut në Europë, ku nesër mbyll llogaritë, ishte shumë e mirë këtë sezon. E vlerëson maksimalisht edhe drejtori sportiv Haris Fakiç, i cili thekson se Skënderbeu ka bërë një hap të madh përpara dhe se në të ardhmen mund të synojë grupet e Championsit. Në një intervistë për “Sport Eskpres”, drejtuesi i klubit korçar flet për rëndësinë e ndeshjes së nesërme ne Zvicër, por edhe për lëvizjet e mundshme në merkaton e janarit, largimet dhe afrimet. Fakiç thekson se Skënderbeu nuk do të rrezikojë asgjë, pasi synon të fitojë me çdo kusht titullin kampion.     

– Haris, të enjten luhet ndeshja e fundit europiane në Zvicër. Çfarë presim nga Skënderbeu?

– Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Ka të ardhura të rëndësishme për klubin dhe mbi të gjitha duam të prezantojmë disa emra lojtarësh në Europë. Madje, do të ketë edhe nga ata që nuk kanë pasur shumë minuta në këmbë dhe që do të jenë në fushë.

– Sa shanse ka Skënderbeu të fitojë në këtë transfertë?

– Shanset janë të mëdha, sepse edhe Jang Bojs është ekip që ka dalë nga synimet në Europë. Ata pa diskutim që do të kursejnë shumë lojtarë. Jam i sigurt se zviceranët do t’i japin më shumë rëndësi kampionatit se Europa League, që edhe për ta është mbyllur.

– I suksesshëm ky sezon europian për Skënderben?

– Kemi bërë një hap tjetër të madh, pas atij prezantimi që bëmë para dy sezonesh. Pa diskutim që do ta cilësoja sezon të suksesshëm dhe për shumë pak sot jemi jashtë loje. Kishim mundësi  të vazhdonim më tej. Konkurrenca këtë vit ka qenë më e madhe me ekipet që kemi pasur përballë në Europë. Nuk ishte e lehtë të arrinim këto rezultate. Për mua ishte një hap shumë i madh Europa League për Skënderbeun.

– Thatë që kishit mundësi të shkonit më tej në Europë. Keni ndonjën “peng”?

– Kishim shanse të mëdha të shkonim larg, por nuk kishim fat. Po ta kishim mundur Jang Bojsin në ndeshjen e parë në Shqipëri, pasi e meritonim, sot do të flisnim për më tej.

– Çfarë “sekrete” ka Jang Bojsi?

– Jang Bojs ka skuadër shumë profesioniste, që do të futet të enjten në fushë për fitore. Por objektivi i tyre madhor është të fitojnë titullin kampion në Zvicër. Kjo është arsyeja kryesore që skuadra kundërshtare mendoj se do të ruajë shumë lojtarë për kampionatin.

– Trajneri Daja ka thënë se do të aktivizojë lojtarë, të cilët do të promovohen në Europë. Për cilët lojtarë bëhet fjalë?

– Me të drejtë trajneri Daja e ka deklaruar diçka të tillë. Do të ketë ndryshime në formacionin e Skënderbeut, kjo nuk diskutohet, por ju garantoj se këto ndryshime nuk e humbasin cilësinë e ekipit. Fidan Aliti, Suad Sahiti e ndonjë tjetër do të jenë emra që do t’i shikojmë në fushë.

– Në kampionat po bëni gjithçka shumë mirë. Duket se Europa nuk ju ka penguar, apo jo?

– Këtë e tregon më mirë se gjithçka tjetër vendi i parë, por jemi disi të lodhur, duhet ta pranojmë. Për ndeshjet që kemi luajtur nga vera e deri tani, kemi bërë me plot gojë dy kampionate bashkë. Objektivi ynë kryesor është fitimi i titullit kampion.

– Po mendoni që tani për objektivat në Europë vitin e ardhshëm?

– Të fitojmë kampionatin së pari, pastaj të tjerat vijnë gradualisht. Kemi një koeficient shumë të mirë, që edhe në Champions League do të na ndihmojë shumë. Ndoshta vitin tjetër kjo skuadër mund të shkojë edhe në fazën e grupeve të Championsit.

– Pas Jang Bojsit, skuadra kthehet në Shqipëri për të luajtur me Laçin. Si e mendoni këtë transfertë?

– Të enjte luajmë në Zvicër dhe e kemi mendjen edhe te Laçi, pasi janë tri pikë me shumë vlerë në lojë. Por për këtë takim të kampionatit do të flasim më mirë pas së enjtes.

– Martin Nespor duket se do të jetë i pari lojtar që do të largohet në janar. Si është situata me këtë lojtar?

Jemi në këtë rrugë, të ndarjes me konsensus me lojtarin Martin Nespor, i cili ka një problem shëndetësor. Kjo do të thotë se marrëveshja do të ndërpritet, por, nëse ai do të jetë gati, situata mund të ndryshojë. Por ka pak mundësi të ndodhë. Për zhvillimet e mëtejshme do ju bëj me dije në vazhdim.

– Fundi i vitit po afron, cilët janë ata që keni piketuar për t’i sjellë në janar te Skënderbeu?

– Nuk mund të them emra, por mund t’ju them se jemi në bisedime me disa lojtarë brenda dhe jashtë vendit. Personalisht, mendoj se të ketë afrime nga jashtë, kryesisht në sulm.

– Së fundi, po ndonjë zhvillim për merkaton në dalje. Ka pasur oferta konkrete gjatë kësaj periudhe?

– Realisht, kemi pasur oferta zyrtare, por kemi objektivat tona. Nuk do të rrezikojmë në asnjë mënyrë objektivin madhor të klubit në lidhje me ata që do të largohen. Oferta kemi shumë, por do t’i mendojmë dhe në fund do të vendosim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *